27 shkurt 2009

“Interi kërkon me çdo kusht Agueron”

Interi del hapur për Agueron. Protagonist i këtij rrëfimi është edhe njëherë Luiz Suarez, një ndër figurat kryesore të zikaltërve, i cili edhe para një muaji ka konfirmuar interesin për talentin argjentinas. “Aguero tek Interi? – ka deklaruar Suarez – Edhe mund të bëhet, por gjithçka varet nga shifra që duhet të paguajmë. Nëse nuk propozohet ndonjë shifër e pranueshme, mendoj se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje. Por talenti i futbollistit nuk mund të vihet në diskutim absolutisht”. El Kun Aguerro i ka prishur pothuajse të gjitha marrëdhëniet me trajnerin e Atletiko Madrid, Abel Rezino, dhe mesa duket i ka bërë valixhet gati për merkaton e qershorit. Ikona e paharruar e skuadrës së zikaltërve, i cili ka qenë edhe protagonist në fitoren e Interit në Kupën e Kampionëve, ka komentuar edhe ndeshjen kundër anglezëve: “Liga e Kampionëve? Ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë, sepse kualifikimi do t’i detyrojë skuadrat të luajnë deri në minutën e fundit. Fakti që nuk arritëm të shënonim asnjë gol, është shumë shqetësues dhe duhet patjetër ta zgjidhim nëse dua të kalojmë në çerekfinale”.