26 shkurt 2009

Juventusi bën lojën, Didier Drogba golin

As Juventusi nuk arrin t’i bëjë keq skuadrave angleze. Pas 0-0 së “San Siros” ndërmjet Interit e Mançesterit dhe disfatës së Romës në transfertë me Arsenalin, edhe bardhezinjtë e Klaudio Ranierit dalin të mposhtur nga turi i parë i 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve. Në “Stamford Bridge” vendos një gol i Didier Drogbasë, një sulmues, i cili deri disa javë më parë, në drejtimin e Luiz Felipe Skolarit, ndiqte shokët e tij të skuadrës nga pankina. Por Gus Hidink ka ditur t’i ndezë shkëndijat këtij kampioni dhe t’i dhuronte sërish atij fanellën e titullarit. Dhe shpërblimi që i dha teknikut holandez qe goli vendimtar në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme kundër “Zonjës së vjetër”. Gjithsesi, pas 15 minutave të para të dominuara nga formacioni londinez, Del Piero me shokë zgjohen nga gjumi dhe fillojnë të sulmojnë portën e mbrojtur nga Peter Çeh. Fillimisht kapiteni me një goditje diagonale dhe më pas Amauri shkojnë shumë pranë barazimit, por vetëm kaq për pjesën e parë. 45 minutat e dyta janë akoma më të mira për bardhezinjtë italianë, të cilët e mbyllin Çelsin në gjysmëfushën e vet, duke komanduar kështu të gjitha minutat e mbetura. Si rrjedhojë e kësaj paraqitjeje meritonin absolutisht barazimin. Mirëpo, blutë dinë edhe të vuajnë, edhe të ruajnë presionin juventin. Gjithsesi, nëse djemtë e Ranierit përsërisin të njëjtën paraqitje pas 14 ditësh, çdo gjë është absolutisht e hapur për kualifikimin.