28 shkurt 2009

Kreu vetëm katër pikë larg

Skuadra e cila një javë më parë e turpëroi Barcelonën në Camp Nou, ajo e Espanyolit, është mposhtur të shtunën mbrëma në shtëpinë e vetë nga Real Madridi.
Kampionët në fuqi kanë shënuar fitore me rezultat prej 2-0 në stadiumin Montjuic, kundër skuadrës së dytë nga qyteti i Barcelonës. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, ndërsa ndryshe ndodhi në pjesën e dytë. Ishte pikërisht lëvizja e trajnerit Juande Ramos meritore për këtë fitore, pasi që lojtarët e inkuadruar në pjesën e dytë (58’), Marcelo dhe Guti, ishin kyç për fitoren e mysafirëve. Goli i parë erdhi në minutën e 70-të, ndërsa golashënues ishte Guti, i cili mposhti portierin Kameni pas një ekzekutimi perfekt të gjuajtjes së lirë. Mbretërit dyfishuan epërsinë pas një pasimi të Marcelos te legjenda e Los Merengues, Raul Gonzalez Blanco, i cili me golin e shënuar theu një tjetër rekord duke u renditur i pesti në listën e top-golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në La Liga. Me këtë fitore Los Blancos afrohen në vetëm katër pikë diferencë ndaj prijësit të La Ligas, Barcelonës, skuadër e cila të dielën e zhvillon ndeshjen shumë të vështirë kundër Atletico Madridit në Vicente Calderon.