28 shkurt 2009

Mourinjo: Santon, një Faketi i ri

Në vigjilje të ndeshjes me Romën, Hoze Mourinjo ka gjetur kohën për të ngritur në qiell Santonin. “Është një fenomen. Pas 10-15 vjetësh do të bëhet një Maldini, një Zaneti apo një Faketi dhe unw do të kujtoj që kam bërë të njohur. Por dua të theksoj që merita është vetëm e tij, e personalitetit që ka shfaqur në fushë.” Mourinjo ëhstë shprehur edhe për ndeshjen me Romën: “Zakonisht, pas ndeshjeve të mëdha të Champions-it, ne fitojmë gjithmonë edhe në kampionat.” Interi kryeson e shkëputur nga skuadrat e tjera, ndërsa Roma pretendon një tjetër vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. “Ne kemi nevojë për 30 pikë, që ta kemi të sigurt titullin. Roma duhet të tregojë çfarë objektivash ka. Mendoj që do të jetë një sfidë mjaft e vështirë. Roma është një skuadër që luan bukur futboll dhe kurrë nuk futet në fushë për të marrë një barazim 0-0. Kanë një trajner shumë të mirë, që do të kërkojë fitoren edhe në fushën tonë”, - është shprehur Mourinjo. Kivu nuk është grumbulluar për shkak të lodhjes fizike, ndërsa Kruz është ndëshkuar nga trajneri. “Ky vendim ka të bëjë me paraqitjen në Ligën e Kampionëve. Një futbollist e humbet ose e fiton vendin e titullarit në bazë të asaj që jep në fushë. Dhe përgjegjës për zgjedhjet gjithmonë është trajneri.” Ndërsa për Vieiranë portugezi shton: “E di që ka shumë dëshirë të luajë, por për mua nuk është në 100% të formës. Dhe për të fituar mua më duhen futbollistë në formë të plotë.”