27 shkurt 2009

“U treguam madhështorë”

“Nuk është pak të eliminosh një skuadër me traditë, siç është Milani. Megjithatë, me paraqitjen e bërë u treguam thjesht madhështorë”. Me këto fjalë, trajneri i Verder Bremenit, Tomas Shaf ka shprehur kënaqësinë e tij për kualifikimin, ndoshta të pashpresuar të skuadërës së tij, që ka nxjerrë jashtë Kupës UEFA, as më pak e as më shumë, por gjigandët kuqezi. “Sinqerisht, kur rezultati shkoi 2-0, nuk është se besova te përmbysja e shifrave. Megjithatë, futbollistët e mi ishin me të vërtetë të jashtëzakonshëm dhe kthyen në favor një ndeshje që për një moment m’u duk e mbyllur. Merita u takon lojtarëve, të cilët besuan deri në fund se mund të arrinin të barazonin rezultatin. Ja që ia dolën mbanë me sukses, duke shfrytëzuar edhe pikat e dobëta që Milani shfaqi në lojën e vet, teksa ndër të tjera e konsideroi edhe takimin e mbaruar pas realizimit të dy golave. Me këtë arritje, sezoni ynë fillon të marrë paksa kuptim, ndonëse më e vështira na pret ende përpara”....