27 shkurt 2009

Verderi flak Milanin jashtë nga Evropa

Me një dopietë të Klaudio Pizarros, Verder Bremen ka detyruar Milanit t’i thotë “Auf Wiedersehen” (Mirupafshim) Kupës UEFA. Gjermanët kanë qenë shkaktarët e një skualifikimi të bujshëm, duke flakur nga arena e futbollit evropian një emër të madh, siç është skuadra kuqezi. Pikërisht, ai barazim 1-1 i regjistruar në ndeshjen e parë në fushën e Verderit bëri që të përqendrohej vëmendja e të gjithëve në sfidën, ku milanezët priteshin të mos hasnin shumë vështirësi. Ekipi i Ançelotit, që luante përpara tifozëve të vet, nisej më i favorizuiar, pasi kishte shënuar edhe një gol në transfertë. Për më tepër, brenda pak minutave në mbrëmjen e djeshme, italianët arritën të fiksonin një avantazh prej dy golash, fillimisht me penalltinë e Pirlos e pastaj me një gjuajtje të jashtëzakonshme të Patos. Megjithatë, si përfundim, peruani i Verderit, Pizarro, ka prishur festën e milanistëve. Përmes dy golave në harkun e 10 minutave ka arritur një barazim, që ka kualifikuar krejt papritmas skuadrën gjermane. Kështu, në një nga netët më të errëta të futbollit italian, është shuajtur edhe “ylli” i Milanit, që s’diti të shfrytëzojë mundësinë e fundit për të vazhduar luftën në objektivin e vetëm sezonal, që i kishte mbetur, domethënë Kupën UEFA. Në fund të fundit, fajtorë për këtë eliminim, janë vetë kuqezinjtë, të cilët nuk ditën të administrojnë një ndeshje, që në një moment dukej e fituar. Nga ekipet italiane, edhe Fiorentina është eliminuar, megjithëse ka kaluar e para në avantazh në fushën holandeze të Ajaksit. Por ekipi i drejtuar nga ish-milanisti Van Basten ka gjetur barazimin, gjë që duke iu bashkuar edhe fitores minimale të një jave më parë në Firence, ka sjellë sigurimin e avancimit për më tej në kompeticionin e dytë evropian....