31 mars 2009

Besart Berisha paralajmëron: Do t‘i shënoj gol Danimarkës

Danimarka është testi i parë i një Shqipërie, që tashmë është thuajse totalisht jashtë objektivit të saj (arritjes së vendit të katërt në grupin 1 eliminator të Botërorit 2010). Në pjesën e mbetur të ndeshjeve, kuqezinjtë nuk kanë se çfarë të humbasin më shumë, kështu që do të synojnë të marrin ç‘të marrin. Me të vënë këmbët në tokën daneze, kuqezinjtë kanë qenë në qendër të interesit të medias sportive vendase, e cila ka kërkuar të pasqyrojë edhe synimet e kundërshtarit të skuadrës së Morten Olsen dhe menjëherë ka mësuar se Shqipëria, ambiciet e së cilës mund të mendohen të kufizuara për shkak të krahasimit të potencialeve të dy skuadrave, të mërkurën ndaj Danimarkës do të kërkojë të bëjë surprizë. Një gjë të tillë e kanë dëgjuar në gjuhën daneze, pasi u është dashur të intervistojnë sulmuesin shqiptar të skuadrës daneze të Horsensit, Besart Berisha. Madje, ky i fundit nuk i ka kursyer as paralajmërimet se do të japë gjithçka për të shënuar në portën e vendasve. Po ashtu ai u ka deklaruar gazetarëve danezë se humbja ndaj Hungarisë ishte e pamerituar për kuqezinjtë, ndaj Shqipëria do të synojë gjithçka në ndeshjen e së mërkurës. Besart, pas humbjes 0-1 me Hungarinë, rruga për në Botëror bëhet shumë më e vështirë?Ne kishim përballë një ndeshje të rëndësishme, sepse bëhej fjalë të mbeteshim pranë kreut. Fitorja e Hungarisë ndaj ndesh nuk ishte plotësisht e merituar. Më vjen keq sepse zhgënjyem publikun, i cili e kishte mbushur stadiumin për këtë ndeshje.A jeni i kënaqur nga loja juaj, edhe pse në fund nuk i përmbushët qëllimet?Mendoj se e bëra mirë detyrën time. Unë luftova fort, por duhet pranuar se kishte edhe momente jo të mira. Pata rast të shënoja, madje jo vetëm unë, por barazimin nuk e arritëm.Për të vazhduar ëndrrën drejt Botërorit, ndoshta ju duhet sukses në Danimarkë.Unë, bashkë me skuadrën, jam në Kopenhagën tashmë, në përgatitje për të marrë maksimumin ndaj Danimarkës. Më vjen mirë që dëgjoj sërish danisht. Do ta rifillojmë sërish luftën, me shpresë se përpjekjet tona do të rezultojnë të suksesshme. Besoj se loja që zhvillova ndaj Hungarisë do të ma sigurojë një vend në formacion ndaj danezëve. Do të jemi përballë një skuadre shumë të mirë si Danimarka, e cila ka lojtarë me nevojë, por ne do ta bëjmë mirë detyrën tonë. Ëndrra ime është që t‘i shënoj një gol Danimarkës.