31 mars 2009

Cana, një çështje apo një gabim i “mirëkuptuar”?

Aktivizimi i Lorik Canës në qendër të mbrojtjes si një mbrojtës rezultoi një dështim i konsiderueshëm i skemës së trajnerit Ari Han në ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të Shqipërisë, ndaj Hungarisë rivale të drejtpërdrejtë për vendin e katërt në grupin 1 të Botërorit 2010.
Pas asaj humbjeje pa ngjyra të kuqezinjve të shtunën, nuk munguan edhe ata që evidentuan të gabuar zgjedhjen e teknikut holandez për të zhvendosur në repartin difensiv një nga mesfushorët (ndoshta) më të mirë shkatërrues në Evropë. Është pikërisht mesfusha, ajo që i dha Lorik Canës emrin e lojtarit të kërkuar nga gjigantët e futbollit në Kontinentin e Vjetër. Bajenri, Reali i Madridit, Roma, Interi, Arsenali apo edhe Evertoni, nuk e kërkojnë Canën për ta lënë në mbrojtje. Natyra e tij luftarake dhe aftësia për të mbajtur ritmin, grintën e skuadrës, i dhanë atij titullin e merituar “kapiten i Olimpikut të Marsejës”. Por këto veti Han nuk i mori parasysh.
Në fund u duk i dyzuar: “Pas ndeshjes mund të mendohet ‘edhe kështu edhe ashtu’. Është e vështirë për të parashikuar se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishte luajtur më para në mesfushë. Para ndeshjes e menduam si zgjidhjen më të mirë për mbrojtjen”. Jo pak hamendësime la të nënkuptohen edhe vetë Cana, i cili në një deklaratë për një televizion shqiptar direkt pas humbjes u shpreh: “Nuk mund të them se jam ndier keq në rolin që kam luajtur, pasi nuk është hera e parë që aktivizohem në atë pozicion. Por në fund ai që vendos se ku duhet të luaj unë, është trajneri dhe unë e respektoj atë”.
Megjithatë, aktivizimi erdhi pas mirëkuptimit të kërkuar me ngulm nga Han, i cili pasi arriti në përfundimin se Cana dhe Lala kanë të njëjtat karakteristika, u kërkoi atyre të pranonin verdiktin e mosluajtjes bashkë, ku më parë nuk e kishin bërë keq. Nëse Cana do të jetë një çështje, do të mësohet pas Danimarkës, ku mesfushori nuk do të luajë për shkak të kartonëve