31 mars 2009

Dallku pretendon për faull

Tepër i nervozuar dhe i mërzitur, Armend Dallku ka treguar pas ndeshjes momentin e golit, kur ai dyluftoi në ajër me sulmuesin e Hungarisë, Torgele.
“Torghele më vuri bërrylin dhe m’u prish komplet ekuilibri, prandaj edhe topi nuk u largua nga zona. Në atë moment u kontraktova, sepse isha i vetëm mes tre lojtarëve hungarezë. Jam shumë i zhgënjyer me vendimin e arbitrit, në një moment që më humbi edhe orientimi, ngaqë Torgele më prishi ekuilibrin. Eshtë e çuditshme që në shumicën e rasteve gjyqtari ishte kundra nesh, duke favorizuar lojën e hungarezëve”, theksoi Dallku.
Më tej, ai pranon se humbja erdhi si pasojë e gabimeve të kuqezinjve, por ndërkohë mbrojtësi shigjeton edhe repartin ofensiv. “Jemi ndëshkuar si pasojë e gabimeve tona, por duhet të dimë që nëse nuk shënojmë, asnjëherë nuk mund të fitojmë. Maksimumi që mund të arrinim ishte barazimi, por në këtë ndeshje duket se edhe fati nuk ishte me ne”, përfundoi mbrojtësi.