31 mars 2009

Hulio Sezar shpëton Brazilin

Me Hulio Sezar në formë të jashtëzakonshme, një gol me fat të Hulio Baptistës, me Ronaldinjon që ishte hija e yllit të dikurshëm dhe me dëmtimin e Maikon, Brazili barazoi 1-1 me Ekuadorin, në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010. Por, protagonisti i vërtetë ishte portieri i Interit, që me ndërhyrjet e tij i siguroi "seleçaos" të paktën 1 pikë. Skuadra e drejtuar nga Karlos Dunga kaloi e para në avantazh me Baptistën: sulmuesi i Romës, shënon vetëm pak sekonda pasi kishte hyrë në fushë, duke zëvendësuar Ronaldinjon. Ai përfitoi nga harkimi i Robinjos, dhe nga e djathta godet shtyllën. Topi përplaset në trupin e portierit vendas dhe më pas përfundon në rrjetë. Ekuadorianët baraspeshojnë shifrat vetëm 1 minutë përpara mbylljes së lojës me Noboan. Ai ka shfrytëzuar një top të mbetur në zonë, pas pritjes spektakolare të Hulio Sezar.