31 mars 2009

Jahmir Hyka kërkon hakmarrje me Skocinë

Talenti kuqezi, Jahmir Hyka, synon të rikthejë skocezët me këmbë në tokë. Mesfushori, që u bë pjesë e Kombëtares Shpresa, pasi u la jashtë Kombëtares "A" nga trajneri Ari Han, deklaroi se kundërshtarët u ndihmuan nga fati në fitoren 1-0 në "Ruzhdi Bizhuta" të Elbasanit. Në atë ndeshje, e para në Grupin 10 eliminator të Evropianit Under-21, zëvendësuesi Kris Mekguajër shënoi me penallti vetëm 4 minuta përpara fundit të lojës. Por, lojtari i Mancit në Bundesligën II gjermane ka premtuar një tjetër Shqipëri në sfidën që do të luhet të mërkurën më 1 prill në Falkirk. Ai deklaroi: "Mendoj se në ndeshjen e parë meritonim të paktën një barazim. Ndonjëherë, në futboll duhet të jesh edhe me fat. Megjithatë, në futboll gjithçka balancohet dhe jam i sigurt që do të na ecë më mirë në takimin e kthimit. Skuadra nuk po kalon formën e saj më të mirë, por ndodhemi në Skoci për ta ndryshuar këtë situatë dhe të marrim një rezultat pozitiv". Hyka beson se skocezët mund të luajnë më të hapur në ndeshjen e dytë dhe kjo mund t‘i ndihmojë kuqezinjtë. "Në Elbasan ata ishin rreshtuar më shumë në mbrojtje dhe kjo na krijoi probleme, pasi nuk po gjenim hapësira. Tani ata luajnë në shtëpi dhe mund të kërkojnë të sulmojnë. Kjo do të na ndihmojë t‘i godasim".