31 mars 2009

Kanavaro dhe e ardhmja: Ndoshta tërhiqem

Edhe pse duhet të tërhiqem nga futbolli, kam patur një karrierë të bukur”. Batuta e të zakonshmit Fabio Kanavaro është ironike, por nga ana tjetër fsheh një farë hidhërimi, sepse problemi i kontratës së tij që i skadon këtë verë me Realin e Madridit, e ka vendosur në një situatë që nuk e mendonte se do të krijohej vetëm pak muaj më parë, kur në një bisedë me presidentin e atëhershëm Ramon Kalderon dhe drejtorin e përgjithshëm të klubit Predrag Mijatoviç, menaxherët e Fabios, Enriko e Gaetano, ishin dakord mbi rinovimin. Pastaj Kalderoni përfundoi nën “syrin e ciklonit” dhe akoma ortakët e Realit kanë mosmarrëveshje (para dy ditësh kanë pasur një mbledhje asambleje që zgjati 8 orë, duke u grindur thuajse për gjithçka). Dhe Kanavaro është në pritje. “Por nuk është problemi im kryesor, - shpjegon qendërmbrojtësi 36-vjeçar. - Kam një kontratë deri në qershor me Realin e Madridit, që nuk është klubi i fundit. Zërat për Milanin janë vetëm thashetheme, ai që më kërkon, e ka numrin e menaxherit tim. Tani mendoj të luaj në këtë fund sezoni me Realin, sepse kemi akoma mundësi për ta arritur Barcelonën. Pastaj është dhe Kupa e Konfederatave. Kam shumë dëshirë të luaj, e ardhmja ime nuk është objektivi im i vetëm”. Situata mbetet e çuditshme për një kampion thuajse 36-vjeçar, që duhet të gjejë një skuadër të fortë, me të cilën duhet të luajë një sezon vendimtar për ta çuar më pas drejt botërorit afrikan, i katërti personal, që Italia “e tij” kërkon ta sigurojë, duke mundur nesër në Bari Irlandën e Xhiovani Trapatonit: “Se si do të më duket kur ta takoj Trapatonin si kundërshtar, - nënvizon Kanavaro, - pasi kam kaluar katër vite të bukura me të me fanellën “axurre”. Megjithatë ne synojmë shumë te kjo ndeshje, edhe pse e di sesa pasion ka Trapatoni për futbollin. Unë jam i ngjashëm me të në këtë aspekt”.