29 mars 2009

Kuqezinjtë zhgënjejnë, Hungaria ndëshkon sërish

Shqipëria humbet përsëri me Hungarinë. Skuadra që mendohej si rivalja direkte në grupin eliminator, konfirmohet si "macja e zezë" e skuadrës së Han: dy humbje në gjashtë ndeshje kanë ardhur pikërisht pas përballjeve me skuadrën e Ervin Kuman dhe hungarezët janë të vetmit që kanë arritur të shënojnë në portën kuqezi. Në këtë mënyrë, shuhen përfundimisht shanset për vendin e katërt, përfundon ëndrra e largët për kualifikim, ndërsa pozita e trajnerit të Kombëtares nuk është nga më komodet.Në formacionin e hedhur në fushë, Cana luan në qendër të mbrojtjes përkrah Currit, ndërsa Vangjeli zë vendin në të majtë. Niset titullar Besart Berisha, që luan në të djathtë si sulmues i fshehur, në ndihmë të Salihit, ndërsa pesha e mesfushës është mbajtur nga Lala, Skela e Duro. Skuadrat janë treguar agresive që prej fillimit dhe në dhjetë minutat e para nuk kanë munguar duelet e forta në mesfushë. Momenti i parë i rrezikshëm kalon nga këmbët e Berishës, por topi i tij nuk shfrytëzohet nga Salihi. Miqtë reagojnë me Hanjal dhe Hushti, pa gjetur portën e Hidit, ndërsa pak minuta më parë, Cana u ndëshkua me karton të verdhë dhe është i pezulluar për sfidën e 1 prillit në Danimarkë. Një ndëshkim që ndoshta mund të shmangej, pasi ky ishte faulli i parë i shkaktuar nga zëvendëskapiteni. Shqipëria kërkon avantazhin me Salihin, që në harkun e pak sekondave tenton dy herë, duke shkuar fare pranë golit. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Kombëtarja jonë shfaq shenja lodhjeje dhe gjuajtjet e Hajnal e Torgeles paralajmërojnë golin. Rrjeta e avantazhit të hungarezëve erdhi në të 38-tën, pas një aksioni të diskutueshëm ku protagonist bëhet edhe gjyqtari holandez, Bjorn Kuipers. Pas një kontakti me Vangjelin, nga i cili mbrojtësi shqiptar mbetet i shtrirë në fushë, Hushti harkon në zonë. "Bilbili" lejon vazhdimin e lojës edhe pse Dallku, zhbalancohet në ajër nga një kundërshtar, duke mos e larguar topin nga zona. Sfera shkon në këmbët e Sandor Torgeles, që ka të gjithë kohën e mjaftueshme për ta kontrolluar dhe e dërgon në rrjetë. Fraksioni i dytë i lojës fillon me drithërima, por për fat, Torgele shpërdoron edhe pse shfaqet i vetëm me Hidin. Kuqezinjtë reagojnë dhe kanë shansin të barazojnë. Lika devijon me kokë pas harkimit të saktë të Berishës, portieri Babosh largon dhe Skela që gjendej në trajektoren e topit nuk arrin ta shtyjë në rrjetë. Një tjetër mundësi e mirë është paraqitur edhe për Berishën, por edhe pse në pozicion të afërt me portën, sulmuesi gabon. Miqtë mbrohen mirë e nuk harrojnë të sulmojnë, gjithsesi gjuajtja e Hushtit nuk krijon probleme për Hidin. Në të 70-tën, Han hedh kartën Elis Bakaj, në vend të Likës, duke spostuar në krahun e majtë Berishën. Mesfushori i Dinamos bëhet menjëherë i rrezikshëm me një gjuajtje nga distanca, por Babosh grushton. "Gardiani" hungarez reagon mirë edhe pas tentativave me kokë të Skelës e Berishës dhe nuk e lejon prekjen e rrjetës. Gjithçka përfundon me fitoren 1-0 të skuadrës së Ervin Kuman, që me këto tri pikë ruan vendin e dytë në grup, me dhjetë pikë, po aq sa edhe Danimarka kryesuese, kundërshtari i Shqipërisë më 1 prill. Në fund të ndeshjes, lojtarët kuqezi u shfaqën dukshëm të zhgënjyer, duke përsëritur se skuadrës i mungoi vetëm goli. "Humbëm një shans. Kërkuam fitoren dhe për këtë jemi të zhgënjyer. Vendimet e gjyqtarit, nga ku erdhi edhe goli i Hungarisë, ishin të diskutueshme", tha kapiteni Lala për "SuperSport". Ndërsa për Skelën dhe Canën, Shqipëria luajti mjaft mirë dhe në mbrëmjen e djeshme mungoi vetëm goli. "Kishim disa raste, por nuk ia arritëm të barazonim. Këta tifozë duhen falënderuar për mbështetjen. I kishim mundësitë të shënonim dhe fati nuk na ka ndihmuar", deklaroi Cana. Ndërsa Skela shtoi: "Kërkuam në çdo kohë të shënonim, por fatkeqësisht nuk ia arritëm. U ndëshkuam në të vetmin rast që Hungaria kishte dhe më pas ishte shumë e vështirë. Çdo humbje është shumë e dhimbshme, mbi të gjitha me një kundërshtar direkt në grup". Në kampin hungarez, trajneri Kuman u shpreh i kënaqur: "Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, pasi jo të gjithë arrijnë të fitojnë në Shqipëri. Jam i kënaqur me këto tri pikë, pasi na konsolidojnë pozitat në grup. Kualifikimi? Kemi ende edhe shumë rrugë dhe ndeshje të vështira".