30 mars 2009

Lopez porosit të rinjtë të largohen nga Reali dhe Barcelona

Portieri i Villarrealit, Diego Lopez, i ka porositur të rinjtë e Real Madridit të mos kenë frikë nga largimi në kërkim të ngritjes së karrierave të tyre.
“Gjëja më e rëndësishme është të kuptosh se klubet e mëdha si Real Madrid ose Barcelona nuk janë gjithçka. Ka shumë pak vend për lojtarët, dhe për pozitat specifike si e imja, edhe më pak”, ka thënë Lopez. “Kam vendosur të largohem siç bëri edhe Pepe Reina (tash në Liverpool). Tash jemi së bashku në ekipin kombëtar. Të rinjtë duhet të mësojnë në klube të mëdha, por nuk duhet të kenë frikë të largohen”, ka shtuar portieri spanjoll. Diego Lopez ishte pjesë e të rinjve të Realit para se të kalojë në Villarreal, derisa Pepe Reina ishte pjesë e Barcelonës para kalimit të tij në Villarreal dhe pastaj në Liverpool.