30 mars 2009

Mourinjo: Dua një Inter më shumë italian

Edhe përtej oqeanit Hoze Mourinjo është… Hoze Mourinjo. Pak ditë para takimit të parashikuar për javën e ardhshme me presidentin Masimo Morati, portugezi i ka lënë të kuptojë numrit një zikaltër, që filozofia e Interit të viteve të fundit nuk i pëlqen: Mourinjo kërkon lojtarë më të rinj në moshë dhe para së gjithash italianë.
Trajneri i Interit mbërriti dje në Boston të SHBA-ve, i shoqëruar nga menaxheri i skuadrës Buti dhe nga përgatitësi i portierëve Sivino për të parë qytetin në prag të turneut veror. “Duhet të shqetësohemi për të ardhmen, jo vetëm për të tashmen dhe është e nevojshme të shohim për lojtarë të rinj edhe pse skuadra do të humbasë përvojë, do të fitojë sërish në aspekte të tjera, - shpjegoi Mourinjo. - Tifozët do ta kuptojnë dhe dëshmia më e mirë është Santon, që në dy muaj për ata u shndërrua në special”.
Pra Mourinjo kërkon të rinojë organikën me lamtumirën e Vieirasë, Figos, Kruzit, Krespos e Materacit dhe të afrojë forca të freskëta. “Futbolli portugez nuk ka fuqi për të mbajtur lojtarët më të mirë dhe kur ka djem të zotë 17, 18 apo 19-vjeçarë, vështirë se mund t’i mbash, - shton tekniku interist. - Në Itali nuk është kështu dhe për këtë, futbollistë si Santon e Baloteli mund të qëndrojnë gjatë te Interi”. Pastaj një tjetër këshillë e rëndësishme dhe në kundërprirje me politikën e viteve të fundit për Moratin: “Baza e një skuadre duhet të jetë e përbërë nga elementë të këtij vendi, edhe pse kjo mund të sjellë mungesë fitoresh për një periudhë 2-3 vjeçare. Kur kjo të bëhet, është e nevojshme të investohet në momentin e duhur te lojtarët e duhur dhe klubi pastaj do të ketë rezultate të rëndësishme”.
Mourinjo e zgjeron argumentin e tij: “Interi është një klub tradicional, që çdo vit ecën para me të njëjtën mënyrë pa pasur shumë italianë në ekip dhe pa krijuar përvojë për të rinjtë. Pra kjo nuk është mendësia që dua për klubin tim. Muajt e ardhshëm do të jenë të rëndësishëm për të krijuar një filozofi të përbashkët. Jo filozofinë e Moratit apo atë të Mourinjos, por filozofinë tonë”. Në fund, Mourinjo lëshon një batutë për Bekhamin: “Çfarë mendoj për futbollin në SHBA? Nuk mjafton një lojtar i rëndësishëm për ta bërë të rëndësishëm një kampionat. Duhen lojtarë që nuk duhet të mendojnë të vijnë këtu, të marrin paratë dhe të largohen, por njerëz që duan të punojnë në këtë vend për t’u përfshirë në futbollin amerikan”. Referimi është i qartë për “Spice Boy”-n, që pasi ka zgjedhur të emigrojë në Los Anxheles, ku është mbuluar me miliona dollarë, bëri gjithçka për të zgjatur përvojën e tij me Milanin.