31 mars 2009

Pacini rrëfen: Lipi më tha, hyr dhe shëno!

Një farë “V”-je që të pret fytyrën, me gishtat që duken thuajse sikur thonë: më shiko mua të lutem! Jo, nuk është një këngë dhe kundërshtarët e dinë mirë, duke parë se kur luajnë kundër, e kuptojnë që nuk ka asgjë për të qeshur. Xhiampaolo Pacini është “i fejuar” me golin. Madje tashmë duket thuajse si një martesë, pasi periudha e errët me Fiorentinën, është lënë pas krahëve. Ndoshta për këtë ka filluar të qeshë shumë, duke qenë kështu një lojtar me të ardhme në Itali dhe për Italinë. Debutoi në Serinë A me Leçen, duke shënuar një gol; Italinë e tij U-21 e përuroi me një tregolësh në “Uembli” kundër Anglisë; debutimi në kombëtaren e madhe vijoi sërish me një gol ndaj Malit të Zi. E ku ka më mirë se kaq…

- Pacini, emocione të ndryshme?

- Tregolëshi i shënuar në “Uembli” do të mbetet gjatë në mendjen time, por ajo ndaj Malit të Zi ishte një ndeshje ndryshe, që ia vlente për të shkuar në botëror.

- Ndonjë përkushtim të veçantë?

- Atyre që më kanë qëndruar afër.

- Si festuat?

- Pasi u kthyem në hotel, festova me Montolivon, Pepen e Gamberinin.

- Lipi ju ka cilësuar si “Mbretin” e golit: e kujt është merita?

- E Sampdorias, e kombëtares e të gjithë atyre që luajnë me mua.

- Por mes jush, Tonit e Xhilardinos, “shoqëria” është e mirë, a ka nevojë vërtet kombëtarja për Amaurin?

- Sigurisht Italia ka shumë sulmues të fortë dhe unë shpresoj të qëndroj në këtë grup në prag të botërorit, ndonëse zgjedhjet nuk më takojnë mua t’i bëj.

- A jeni gati të luani ndaj Irlandës?

- Unë jam i gatshëm, por vendos Lipi. Megjithatë jam i sigurt që do të jetë një ndeshje e madhe.

- Kur e kuptuat që duhet të hynit në fushë, çfarë ndjetë?

- Pak emocion, por falënderoj shokët që më qëndruan afër dhe më qetësuan menjëherë. Pastaj situatën e çdramatizoi Lipi me një batutë.

- Çfarë ju tha në të vërtet?

- Ki kujdes, hyr në fushë dhe shëno gol dhe unë iu binda.

- Dhe nuk patët nevojë as për Kasanon.

- Unë te Sampdoria kam shënuar shumë gola falë pasimeve të Kasanos, por kam shënuar edhe shumë gola të tjerë i vetëm ose falë pasimeve të shokëve të tjerë. Antonio më telefonoi dhe m’u bë shumë qejfi.