29 mars 2009

Pique i sjell tre pikë të vështira Spanjës

Një gol i vetëm i shënuar nga mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, i ka sjellë tre pikë të reja kampionit të Evropës, Spanjës, në ndeshjen përballë Turqisë të vlefshme për kampionatin botëror, Afrika e Jugut 2010.
Spanja arriti t’i bëjë ballë sulmit të Turqisë në ndeshjen e zhvilluar në Bernabeu, për të shënuar edhe një fitore të rëndësishme dhe për të kryesuar tabelën e Grupit 5 me gjashtë pikë epërsi. Fitorja megjithatë nuk ishte aspak e vështirë për kombëtaren më të mirë në botë sipas FIFA-s. Goli i parë në ndeshjet ndërkombëtare i Gerard Pique, i shënuar pas një ore lojë, ishte vendimtari për tre pikët e reja të Spanjës. Përveç këtij rasti, ekipi vendas rrallë shkaktoi probleme për Turqinë, dhe në të vërtetë ishte Iker Casillas ai i cili ishte më i angazhuar. Portieri i Real Madridit arriti t’u bëjë ballë tentimeve të dyshes Nihat Kahveci dhe Sanli Tuncay, duke frenuar mysafirët. Spanja tash kryeson me pikë maksimale, 15 nga pesë ndeshje, gjashtë më shumë se Bosnja dhe Hercegovina, që pas fitores ndaj Belgjikës ngrihet në pozitën e dytë të këtij grupi. Turqia mbetet në pozitën e tretë me tetë pikë dhe do të kërkojë hakmarrjen ndaj Spanjës në ndeshjen e ardhshme që zhvillohet të mërkurën, por kësaj here në Turqi.