31 mars 2009

Plasin polemikat në Irlandë kundër Trapatonit

Ndoshta dikush e ngatërroi futbollin me regbinë. Dhe ndeshjet kualifikuese për “Afrikë 2010″ me trofeun “Gjashtë kombet”, të sapo fituar nga kombëtarja irlandeze. Sporte të ndryshme. Realitete të ndryshme. “E thashë sapo nënshkrova kontratën, nuk jam “Shën Xhiovani”, nuk bëj mrekulli”. Dhe mjaftoi gjysmëhapi i parë i gabuar nën drejtimin e tij për ta vendosur Xhiovani Trapatonin në “bankën e të akuzuarve”. Në mes të “Croke Park”, pas barazimit 1-1 me Bullgarinë, trajneri italian, e sheh veten duke përballuar një sërë kritikash, aspak të hijshme. Ai fillon të buzëqeshë. Pastaj shpërthen. Ajo që ndezi “sherrin” është një pyetje mbi mungesën e aktivizimit të lojtarëve të stolit. “Nuk mund të zbresë në fushë një djalosh i ri në një ndeshje kaq delikate. Ky është ligji im. Nuk bindeni? Mirë pra, më jepni emra”. Atmosfera nxehet. Një gazetar i këshillon Li Karslin, mesfushor i Birmingemit në Serinë B angleze. Trapatoni hap krahët: “Kush? E di që secili nga ju ka nga një futbollist për të promovuar. Më këshilluat një mesfushor. Por problemi nuk është aty. Uilan dhe Andreus kanë qenë të zotë. Emra të tjerë po patët?”.
SI KASANO - Shtypi irlandez i këshillon dy të tjerë. Asnjë titullar në skuadrat respektive në klube. Edhe Trapatoni pra ka “Kasanot e tij” për të administruar. Por “Shën Xhiovani” revoltohet: “Ej, jemi të dytët në grup, dy pikë nga Italia e madhe. Mos e keni harruar këtë gjë? Ne nuk jemi kampionët e botës. Mos doni t’iu kujtoj se prej sa kohësh Irlanda nuk merr pjesë në fazën finale të një botërori? Barazuam 1-1 me Bullgarinë. Një kombëtare shumë e fortë. Ndërsa kampionët e Botës së Italisë barazuan 0-0 në Sofje. Dhe patën më pak raste për gol nga ç’patëm ne”.
SHOW - Trapatoni këmbëngul në idenë e tij dhe vazhdon “spektaklin”, duke u ndihmuar me duar, pastaj riniset. Edhe më me shumë inat. “Italia kundër Qipros mund të humbiste, - vazhdon trajneri që pak ditë më parë mbushi 70 vjeç. - Irlanda po zhvillon një veprimtari të madhe. Kundër Bullgarisë në fund të ndeshjes patëm tre raste të mira për gol. Problemi është që Kin, Dojli e MekGedi, ishin shumë eklektikë. Duhet më shumë freski para portës. Por do të mësojnë”.
DREJT ITALISË - Pasi kaloi “stuhia”, kthehet të flitet për sfidën e nesërme ndaj “axurrëve”. “Pirlo është një nga problemet e mi. Kam një dobësi për kampionin e Milanit. Pastaj duhet të përpiqemi t’i ndalojmë italianët nga krahët. Italia luan një futboll ndryshe nga Bullgaria. Më teknik, më pak forcë fizike. Për ne është mirë kështu. Lipi? Nuk më takon mua ta gjykoj. Është një koleg, për të cilin kam respekt maksimal, e njeh futbollin, ka fituar një botëror, ka përvojë të madhe. Çështja “Kasano”? Një trajner ka për detyrë të mbrojë grupin”. Pastaj Trapatoni ka mendime të tjera. Duhet për shembull të riaftësojë MekGedin, një nga lojtarët e tij më të mirë, i cili doli nga sfida me Bullgarinë me një dhembje në gjurin e djathtë. Trapatoni ndihet krenar: “Ikim në Itali më idenë për të fituar. Kështu duhet të arsyetojë kush ka ambicie”. Pastaj u dhuron të gjithëve një buzëqeshje: “Do të isha i kënaqur të kthehesha në Dublin edhe me një barazim”.