29 mars 2009

Portugalia dhe Suedia ndajnë pikët

Dy nga ekipet favorite për t’u kualifikuar për në kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010, Portugalia dhe Suedia, kanë ndarë pikët në ndeshjen e fundit të grupit të parë.
Yjet e Portugalisë, Cristiano Ronaldo, Deco dhe Simao Sabrosa, të cilët luajtën në fushë vendore, por nuk arritën të çajnë mbrojtjen e mysafirëve, të cilët ishin pa sulmuesin kryesor, Zlatan Ibrahimovic. Ky ishte barazimi i tretë radhazi në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2010, për Portugalinë, që do të vendosë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit të kësaj kombëtareje, Carlos Queiroz. Me këtë rezultat, të dyja ekipet mbledhin nga gjashtë pikë, sa ka edhe Shqipëria. Portugalia megjithatë mban pozitën e tretë falë diferencës më të mirë të golave, duke lënë Suedinë dhe Shqipërinë në pozitat vijuese, megjithëse Suedia ka një ndeshje më pak. Danimarka mban kreun e grupit të parë, me 10 pikë, po aq sa ka edhe Hungaria, që mbetet në pozitën e dytë.