29 mars 2009

Presidenti Topi, në Danimarkë për ndeshjen

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të udhëtojë drejt Danimarkës, për t‘u takuar me personalitete të shteteve skandinave, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian. Ai do të shoqërohet në këtë udhëtim, që fillon të martën më 31 mars, nga rreth 30 biznesmenë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. Kreu i shtetit do të përfitojë nga udhëtimi në Danimarkë për të ndjekur nga afër përballjen në të cilën Shqipëria do të luajë kundër skuadrës së drejtuar nga Morten Olsen, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010. Ndeshja do të zhvillohet në "Parke Stadium" të Kopenhagenit, të mërkurën më 1 prill. Ajo është përballja e parë e kuqezinjve të drejtuar nga Ari Han me përfaqësuesen daneze në Grupin 1. Kundërshtarët janë kandidatët më të fortë për t‘u kualifikuar në fazën finale të Kupës së Botës, në Afrikën e Jugut.