29 mars 2009

"Seks dhe orgji në shtëpinë e Adrianos"

Adriano, futbollisti i "dashuruar" me jetën e natës, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Sipas të përditshmes "Sport", sulmuesi i Interit ka organizuar një festë në shtëpinë e tij në Rio. Të pranishëm ishin edhe lojtarë të tjerë të përfaqësueses "seleçao". Një transeksual brazilian, Patricia Arauzho, që pretendon se është "e dashura" e një lojtari të Kombëtares së drejtuar nga Dunga, tregoi detajet e "party"-t të organizuar në apartamentin e lojtarit, vetëm pak orë përpara se të fillonte grumbullimi për sfidën me Ekuadorin. Arauzho deklaroi për dy gazeta skandalesh të Rio De Zhaneiros, se e kanë kërcënuar që të mos zbulonte detajet pikante të festës private, e cila përfundoi në orën 05:00 të mëngjesit. "Ndodheshin më shumë meshkuj sesa femra, tha transeksuali, e padyshim që u kryen marrëdhënie seksuale dhe orgji". Sipas mediave lokale, mes të ftuarve të mbrëmjes, përveç prostitutave kishte edhe shumë lojtarë të Brazilit, ku nuk mund të mungonte ylli i Mançester Sitit, Robinjo. Në anën tjetër, Adriano pohoi se të enjten organizoi një festë familjare, por aty kishte ftuar "vetëm miq dhe të afërm". Sulmuesi zikaltër shtoi: "Në shumë raste fama të krijon probleme, pasi ekzistojnë njerëz të gatshëm të përfitojnë. Ishte një ditë e lirë dhe mund të bëja çfarë të doja".