31 mars 2009

Tifozët thyen xhamat e autobusëve hungarezë

Incidentet e shumta mes tifozerive kanë shoqëruar ndeshjen Shqipëri-Hungari, e humbur me rezultatin 0-1 nga kuqezinjtë në stadiumin "Qemal Stafa" mbrëmjen e së mërkurës. Përplasjet e para u verifikuan që në stadium, ku mosmarrja e masave të duhura nga ana e policisë për vendosjen e dy tifozerive pranë njëra-tjetrës ka lënë shanse për sherret mes tyre. Pas golit të 1-0, 600 tifozët miq kanë festuar, madje edhe duke provokuar tifozerinë vendase. Situata më pas precipitoi edhe me hedhjen e shisheve dhe sendeve të forta kundrejt njëra-tjetrës. Por u desh ndërhyrja e policisë për t‘i qetësuar. Ndërsa vetëm dje është mësuar se incidentet kanë pasuar edhe përfundimin e ndeshjes. Sipas burimeve pranë Komisariatit Nr.1 të policisë në kryeqytet, në orën 23:45, te "Liceu Artistik", janë goditur me gurë dy autobusë të tifozëve hungarezë. Për pasojë janë dëmtuar llamarinat e janë thyer 4 xhama anësorë të njërit prej këtyre dy automjeteve. Policia pohon se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.