31 mars 2009

Tragjedi në Bregun e Fildishtë, 22 të vdekur

Tragjedi në stadiumin "Hufuet-Boigni" të Abixhanit, në ndeshjen ku përfaqësuesja e Bregut të Fildishtë luajti kundër Malauit, për eliminatoret e Botërorit 2010. Rënia e njërit prej mureve rrethues të impiantit ka krijuar një situatë kaotike. Mes panikut kanë humbur jetën 22 tifozë, ndërsa 134 të tjerë mbetën të plagosur. Sipas "The Daily Telegraph", shkaku kryesor i ngjarjes së rëndë ishte histeria e krijuar mes tifozëve dhe spostimi i vazhdueshëm në tribuna, ndërkohë që në përkeqësimin e situatës ndikoi edhe policia, e cila ka përdorur gaz lotsjellës ndaj turmës. Gjithçka ndodhi përpara fillimit të ndeshjes, në momentin kur tifozët po futeshin në stadium: sipas mediave lokale, problemi kryesor qëndron në sistemin e biletave, të cilat nuk kanë vende të përcaktuara. Mbështetësit paraqiten në dyert e stadiumit shumë orë përpara fërshëllimës së fillimit të lojës, duke shpresuar se do të sigurojnë vendet më të mira. Por, fakti më i çuditshëm është se stadiumi i Abixhanit është rikonstruktuar vetëm prej pak kohësh. Pavarësisht ngjarjes, ndeshja u luajt me Bregun e Fildishtë, që fitoi 5-0. Rreth 50 mijë fansa panë rikthimin e Didier Drogbasë në Kombëtare, në një ndeshje ku sulmuesi i Çelsit realizoi dy prej golave. Megjithatë, rezultati nuk ka shumë rëndësi përballë vdekjeve masive. Trajneri Vahid Halilhoxhiç shprehu keqardhjen e tij: "E dija që kishte ndodhur diçka, por vetëm në fund të ndeshjes na informuan për këtë dramë. Lajmin e hidhur na e tha presidenti. Unë dhe lojtarët jemi të trishtuar dhe të tronditur".Pas tragjedisë ka reaguar edhe FIFA, që po punon për të evituar ngjarje të tilla. "Qeveria" e futbollit botëror i ka kërkuar Federatës së Bregut të Fildishtë një raport të detajuar: "FIFA ka kontaktuar vazhdimisht me federatën e këtij vendi dhe i ka kërkuar një raport të detajuar, sapo autoritetet lokale të përcaktojnë shkaqet e asaj që ndodhi jashtë stadiumit përpara ndeshjes", lexohej në një deklaratë për shtyp. "Në momentin që do të marrim raportin, FIFA do të jetë në gjendje të bëjë komente të mëtejshme. Jemi maksimalisht të impenjuar që tragjedi të tilla të mos përsëriten në të ardhmen".