31 mars 2009

Trajnerët e Superligës shqiptare "kryqëzojnë" Arie Haanin

Zgjedhjet e Ari Hanit për sa u përket futbollistëve të grumbulluar dhe formacionit bazë shihen me mjaft dyshim nga trajnerët e Superligës shqiptare.
Pas ndeshjes është shumë e thjeshtë t’i konstatosh gabimet e kombëtares sonë, që nuk mundi t’i marrë qoftë një pikë Hungarisë, të cilën kishim menduar se do ta mundnim në të dy takimet eliminatore të grupit tonë. Pse dështoi kombëtarja shqiptare? Disa nga trajnerët e skuadrave të Superligës kanë dhënë mendimin e tyre për dështimin e radhës, ku bie në sy kritika në drejtim të Arie Haanit, i cili, sipas tyre, jo vetëm që ka gabuar në përzgjedhjen e lojtarëve, por edhe në rreshtimin e tyre, në mënyrën sesi e ka përgatitur ndeshjen dhe në pamundësinë për të zgjidhur problemet që u vunë re gjatë 90 minutave. Kritika e parë ka të bëjë me mosgrumbullinin e Erjon Bogdanit, lojtarit të Serisë A, që pavarësisht se nuk është aktivizuar rregullisht me Kievon, është një lojtar me shumë eksperiencë dhe që mund t’i bënte punë Shqipërisë me Hungarinë. Por jo vetëm kaq. Ndryshimi i shpeshtë i formaconit, në vend që të sjellë risi në kombëtaren tonë, ka bërë që të humbin ekuilibrat. Cana në mbrojtje? Është lojtari më i mirë i Olimpikut të Marsejës në mesfushë dhe si i tillë do t’i shërbente më mirë Shqipërisë në pozicionin e tij natyral. Pra, ka shumë për të diskutuar për vendimet e trajnerit Arie Haan, që për disa nga homologët e tij të superligës nuk ka sjellë asgjë të re, madje ka bërë hapa prapa krahasuar me paraardhësit e tij.

Sulejman Starova, trajner i Teutës

“Për mendimin tim, gabimi i parë i Haanit ka të bëjë më deklaratën e tij të kahershme për një Shqipëri sulmuese. Kjo deklaratë nuk rezultoi e vërtetë. Rasti më i mirë për ta parë Shqipërinë në sulm ishte ndeshja me Maltën, por Haani edhe në këtë ndeshje luajti me një sulmues. Haani nuk jeton në Shqipëri dhe vjen këtu sikurse Lala, Cana apo Skela, çka do të thotë se nuk i njeh lojtarët. Për mendimin tim, Haan ka gabuar në radhë të parë në seleksionim. Salihi për herë të parë, papritmas, luan në formacion, ndërkohë që duhet të luante më parë në këtë rol, dhe lihet jashtë Bogdani apo Kapllani, që luajnë në Serinë A dhe në Bundesligë. Nuk mund të krahasohet futbolli italian me atë shqiptar. Bogdani shënoi me Chievon dhe luajti titullar edhe në Palermo. Hani luajti me Salihin, Berishën dhe Likën më të avancuar, për herë të parë ky rreshtim, ndërkohë që Lika shquhet më shumë si mesfushor. Shqipëria ka alternativa të tjera, duke filluar që nga Hyka, Bogdani dhe Muzaka etj. Haani nuk bëri asgjë për të ndryshuar rezultatin. Nuk kishte alternativë për të ndërruar Berishën e konsumuar. Nuk bëri asnjë ndryshim në sulm, për ta forcuar këtë repart, sepse ne filluan në fund të luanim me pasin e gjatë.”

Hasan Lika, ish- trajner i Partizanit

“Skuadra ishte e orientuar para, por pa gjetur ekuilibrat në fushë. Ndoshta Haani duket të kishte menduar ndërtimin e një skuadre më të fortë në mesfushë, pastaj të mendonte për fazën sulmuese. Zgjedhjet e lojtarëve nuk ishin aq të drejta. Gjatë gjithë javës kishte dalë në pah një formacion tjetër, ndërkohë që në minutat e fundit u hoq nga formacioni mbrojtësi Elvin Beqiri. I kthyer Cana në këtë repart dhe në mesfushë u bënë modifikime të tjera. Për mendimin tim, të gjitha këto lëvizje sollën prishjen e ekuilibrave të skuadrës. Trajneri mund të kishte vepruar ndryshe edhe me ndërrimet. Për mendimin tim, ai veproi vonë, duke futur vetëm Bakajn në lojë në vend të Gilman Likës. Për formacionin mund të ketë rezerva të tjera, që nga mospërfshirja e Bogdanit në formacion, lojtar që luan në Serinë A, pavarësisht se në këtë sezon nuk është aktivizuar rregullisht. Gjithashtu mund të përmend edhe mospërfshirjen në formacion të Kapllanit, që është një lojtar me eksperiencë, sikurse Bogdani. I përmend këta lojtarë, sepse me Hungarinë ishte një ndeshje që duhej ta fitonim, pra na nevojitej një formacion me shumë alternativa në sulm. Na duheshin lojtarë më të pjekur.”

Hysen Dedja, trajner i Bylisit

“Shqipëria ka zhvilluar me Hungarinë një nga ndeshjet më të dobëta të këtyre eliminatoreve, ndoshta me e dobëta nën drejtimin e këtij trajneri. Mendimi im është që skuadra jonë kombëtare nuk ka një bosht, ku mund të bazohet loja. Arie Haan është ndryshe nga paraardhësi i tij Bariç, i cili kishte një mendim të qartë taktik si dhe alternativa për sa u përket futbollistëve që seleksiononte. Nuk ka një grup stabël si për momentin dhe për vazhdimësinë e skuadrës kombëtare. Keni vënë re shpesh që për një ndeshje grumbullon disa lojtarë, ndërkohë që i lë jashtë për takimin e radhës. Më bën shumë përshtypje thirrja e Dorian Bylykbashit, që për mendimin tim jo vetëm që duhet të thirret, por edhe të luajë në formacionin bazë. Gjithashtu më ka bërë përshtypje lënia jashtë e Erjon Bogdanit, që pavarësisht se kohët e fundit nuk ka luajtur shumë me Chievon, mbetet një lojtar i fortë, që luan në serinë A. Ne mund ta logjikojmë në kushte mjaft të mira, pasi ka përfunduar ndeshja. Një njeri që e sheh skuadrën nga jashtë, mund të bëjë kollaj një analizë. Mund të theksoj që skuadra jonë përfaqësuese nuk ka një mendim të qartë për lojën dhe nuk ka funksionuar loja e krahëve. Cana nuk mund të dërgohet në mbrojtje kur ne mund të gjejmë futbollistë të tjerë për këtë repart. Haani ndoshta nuk i njeh lojtarët, pasi e ndërron formacionin në çdo ndeshje. Kjo ka sjellë edhe mungesën e besimit për të bërë më shumë ndërrime.”

Ilir Gjyla, trajner i Lushnjës

“Për mendimin tim, dyshimi i parë për zgjedhjet e Haanit mbetet aktivizimi i Lorik Canës në qendër të mbrojtjes. Ky futbollist i shquar ka luajtur gjithmonë në mesfushë me Olimpikun e Marsejës. Gjithashtu, edhe Kristi Vangjeli nuk m’u duk në lartësinë e duhur për t’u aktivizuar si titullar që nga minuta e parë. Po kështu edhe Berisha nuk na dha atë që prisnim në krahun e djathtë. Ndërhyrja e Haanit në formacion ka qenë shumë e vonuar, për më tepër për mendimin tim, edhe e gabuar. Mendoj se e ka dëmtuar shumë edhe dëmtimi i portierit titullar Arjan Beqaj, i cili u dëmtua rëndë në stërvitje. Por janë shumë faktorë që kanë ndikuar në paraqitjen e kombëtares sonë, që kanë të bëjnë më së shumti me përzgjedhjen e formacionit dhe aktivizimin e lojtarëve. Me një fjalë, Haani duhet të ishte shumë më i kujdesshëm në përzgjedhjen e futbollistëve, sepse me aq sa pamë shumë prej tyre nuk dhanë atë që prisnim të gjitha. Mund të gjejmë shumë gabime në ndeshjen me Hungarinë, sidomos për sa i përket formacionit dhe vendosjes së futbollistëve në fushë, çka ndikoi edhe në rendimentin e ulët të tyre. Nuk mund të anashkalojmë edhe meritën e kundërshtarëve, por më shumë problemin e patëm te formacioni ynë. Pra, disa futbollistë nuk mund të jepnim më të mirën e tyre aty ku luajtën. Ky është mendimi im për këtë ndeshje.”

Shpëtim Duro, trajner i Partizanit

“Që në fillim të pjesës së parë u pa që Hungaria kishte frikë nga skuadra jonë, mirëpo ata e studiuan shumë shpejt kundërshtarin. Për mendimin tim, trajneri Arie Haan duhet të kishte guxuar më shumë në fazën sulmuese, pasi pati në dispozicion shumë lojtarë sulmues. Kishte grumbulluar Memellin apo Bylykbashin, por nuk e pa të arsyeshme t’i fuste në lojë. Me të drejtë lind pyetja: pse udhëtoi Haani në Ukrainë, për ta mbajtur Bylykbashin në stol? Salihi është një sulmues shumë i mirë, por e ka shumë të vështirë të bëjë më shumë kur është vetëm mes mbrojtësve të shumtë hungarezë. Gjithashtu kam rezerva për lënien jashtë të Bogdanit dhe Kapllanit, që janë lojtarë me eksperiencë dhe që kanë fituar një status në kombëtaren tonë. Bakaj, i futur në lojë në pjesën e dytë, sigurisht e kreu mirë detyrën e tij, por nuk është sulmues i mirëfilltë, për të cilin kishte nevojë kombëtarja jonë. Në pjesën e dytë Hungaria u tërhoq në mbrojtje me shumë forca, ndaj na duheshin lojtarë shtatlartë, që të mund të ulnin topat e gjatë. Në fakt, nuk kishim lojtarë për ta vënë në vështirësi reale mbrojtjen hungareze. Si përfundim, skuadra jonë nuk bëri atë që duhej për ta fituar ndeshjen, kështu që tani ka humbur edhe shanset për të arritur vendin e katërt.