29 mars 2009

Trashëgimtari i “Zonjës” beson ende tek titulli

Titulli nuk është një mision i pamundur për bardhezinjtë, të paktën kështu mendon Xhon Elkan, trashëgimtari i skuadrës së Juventusit. Zëvendëspresidenti i Fiatit ka shumë besim se skuadra e Klaudio Ranierit ka ende mundësi që të fitojë kampionatin e Serisë A, pavarësisht distancës prej shtatë pikësh kundrejt Interit që kryeson klasifikimin. “Unë mendoj se kampionati është ende i hapur, – është shprehur Elkan në përfundim të mbledhjes së aksionerëve të Fiatit. – Ndeshja me Interin, që do të zhvillohet më 18 prill, është tepër e rëndësishme dhe ne duhet t’i mundim patjetër zikaltrit në këtë përballje direkte, nëse duam të vazhdojmë të shpresojmë për titullin. Pastaj duhet të fitojmë edhe Kupën e Italisë. Por unë besoj se me një vullnet të hekurt, lojtarët e Juventusit do të arrijnë ta bëjnë realitet këtë objektiv”.