31 mars 2009

Uejn Runi: Kapelo solli tek Anglia mentalitetin e fituesit

Uejn Runi ka vlerësuar punën e Fabio Kapelos, duke shprehur se trajneri italian ka meritë të padiskutueshme në ecurinë e Kombëtares angleze. Sipas sulmuesit, tekniku italian i ka shndërruar "Tre Luanët" në një skuadër fituese. "Besojmë se mund t‘i fitojmë të gjitha ndeshjet dhe mendoj se një pjesë e madhe e meritave i takojnë trajnerit", deklaroi Runi për revistën "Nuts". "Kapelo është i jashtëzakonshëm: e di se çfarë kërkon nga lojtarët dhe arrin të nxjerrë më të mirën nga të gjithë. Ai ka fituar trofe të pafund në këtë sport. Me lojtarët që ka kombëtarja angleze, ku të gjithë luajnë në Premiership, duhet të luftojmë për të triumfuar në Evropë dhe në botë". 23-vjeçari i Mançester Junajtid mendon se Anglia do të marrë rezultat pozitiv edhe të mërkurën kundër Ukrainës. "Do të ishte shumë bukur po të fitojmë ndonjë trofe, pasi kemi shumë kohë që presim", shtoi ai.