29 prill 2009

Altin Lala dëmtohet, ndërpret stërvitjen

Ky sezon i Bundesligës gjermane duket se nuk është e thënë që të ecë pa probleme për kapitenin e Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala. Mesfushori shqiptar i Hanoverit ka pësuar një tjetër dëmtim gjatë ditës së martë. Në rrugën për rikthimin në 11-shen titullarë, ai ka hasur në një tjetër pengesë: Lalës i është dashur të ndërpresë në mes stërvitjen, për shkak të një tërheqjeje muskulore në kofshë. Në këtë edicion ai është aktivizuar në vetëm 12 ndeshje, nga të cilat në shtatë ka hyrë si zëvendësues. Në javën e 11 të sezonit, në ndeshjen kundër Hamburgut, shqiptari ka pësuar një dëmtim në shpinë, që më pas do të rezultonte hernie fiskale. Operacioni ishte i pashmangshëm dhe kështu e detyroi atë të mungonte për një kohë të gjatë. U rikthye vetëm në javën e 25-të. Tashmë është në dyshim aktivizimi i tij në ndeshjen e së premtes kundër Bokumit.