30 prill 2009

Berluskoni: Dua një “Saki” të ri te Milani

Silvio Berluskoni është rikthyer të flasë për Ançelotin dhe për të ardhmen e tij. “Besoj se marrëveshja midis Galianit dhe Karlos është kjo: të ulemi në një tavolinë në fund të sezonit për të folur. Mënyra se si do të përfundojë ky kampionat mund të ndikojë në vendimet që do të merren. Nëse do të vinte ndarja unë do të kisha dëshirë të ndiqja rrugën e një trajneri të ri siç ka ndodhur në kohën e Sakit dhe Kapelos”, ka thënë numri një i Milanit. Në lidhje me Kakanë.
“Shpresoj të qëndrojë”. Gjithsesi, Berluskoni ka dashur të saktësojë se për momentin nuk ka asnjë alternativë të vlefshme për të zëvendësuar trajnerin aktual të kuqezinjve: “Unë dhe Adriano Galiani nuk kemi folur asnjëherë për emrin e një trajneri të ri. Në rast se kjo do të ndodhë, do të më pëlqente të riniseshim nga një teknik i ri”. Ançeloti është i lidhur me Milanin me një kontratë që skadon në 2010-ën. Por nga Anglia vijnë fjalë për një kalim të tijin tek Çelsi duke filluar që nga fundi i sezonit aktual.
“Miqësia ndikon gjithmonë, sepse është një nga ndjenjat më fisnike, - ka shtuar Berluskoni. - Më pas mund të bëhen konsiderata të tjera, por miqësia me Karleton është krijuar kur ai është bërë lojtar i Milanit. Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Ançelotin dhe besoj se e njëjta gjë vlen edhe për të. Pastaj, në lidhje me të ardhmen do të vendosim në mirëkuptim”. Nëse Morati thotë se do të numërojë penalltitë që janë dhënë në favor të Milanit, Berluskoni replikon me një batutë: “Një ushtrim i nevojshëm matematikor që i bën mirë të gjithëve”.
Gjithsesi, nuk mund të mos flitet për kampionatin. “Eshtë e lejuar të ëndërrosh. Dhe të ëndërrosh gjëra të mira është bukur, është e këshilluar. Kemi mundësinë ta mbyllim mirë kampionatin, na mjafton të ruajmë vendin e dytë. Nuk besoj se Interi do të bëjë ndonjë hap fals, por nëse kjo do të ndodhë ne duhet të jemi gati. Më pëlqen Milani i sotëm. Do të përforcohet mbrojtja, për pjesën tjetër jemi në rregull. Duhet të shpresojmë që të mos kemi kaq shumë dëmtime. Më pas kemi vuajtur nga mungesa e përqendrimit në minutat e fundit gjatë këtij kampionati dhe nga ndonjë vendim i diskutuar i arbitrave”, ka theksuar Berluskoni.