30 prill 2009

Finalja e kupës do të luhet në “Niko Dovana”

Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Flamurtarit do të luhet më 6 maj në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të Sektorit të Garave pranë FSHF-së. Kjo është hera e katërt që Tirana dhe Flamurtari përballen me njëra-tjetrën në finalen e kupës, ku në tre rastet e para, në vitet 1983, 1984 dhe 1996, fituese është shpallur skuadra kryeqytetase. Tirana e ka fituar 13 herë këtë trofe, ndërsa Flamurtari e ka fituar dy herë. Kryeqytetasit janë gjendur 21 herë në finale, ku të fundit e humbën me Vllazninë sezonin e shkuar. Ndërsa, vlonjatet kanë mbërritur 12 herë në finale e Kupës së Shqipërisë.