28 prill 2009

Flamini, nga mesfushor në mbrojtës krahu

Nga një mesfushor me “honorare”, asnjëherë i përfshirë plotësisht në skemat e Milanit, në një siguri të plotë në rolin e ri të anësorit të djathtë. Paraqitja e Methju Flaminisë kundër Palermos ishte mbresëlënëse, si në javën e shkuar ndaj Torinos. Dy ndeshje që e kanë zgjedhur francezin mes më të mirëve në fushë, duke e lejuar Ançelotin të zhvendosë Zambrotën në krahun e majtë.
Një promovim ku sigurisht duhet vlerësuar edhe dëshira e ish-mesfushorit të Arsenalit: “Dua të fitoj Championsin me Milanin, jam tifoz kuqezi që fëmijë.” Nga ana e tij, Ançeloti është i lumtur që ka një tjetër zgjidhje taktike në gatishmëri, por para se ta “ndezë” përfundimisht, duhet të presë konfirmimin e radhës: “Është befasues për mënyrën sesi luan si mbrojtës, ka dinamizëm, taktikë. Tani duhet një verifikim ndaj Katanias, me një trysni më të madhe nga kundërshtarët”.