28 prill 2009

Gripi i derrit zbraz stadiumet në Meksikë

Shpërndarja e gripit të derrit në Meksikë ka bërë që stadiumet e futbollit të jenë të mbyllura, ku një ndeshje në stadiumin e kryeqytetit Aztec me kapacitet prej 105 mijë ulëseve u zhvillua pa shikues. Tifozët përcollën ndeshjen nga televizioni në shtëpi, derisa CF America ishte nikoqir i Tecos të dielën. Federata e Futbollit e Meksikës vendosi që dy ndeshjet e së dielës në Mexico City të zhvillohen në dyer të mbyllura në mënyrë që të parandalohen shpërndarja e virusit që deri më tani ka marrë mbi 100 jeta vetëm në Meksikë. Në mesin e atyre pak shikuesve që përcollën humbjen 2-1 të Americas ishte selektori i ekipit kombëtar të Meksikës, Javier Aguirre, i shoqëruar nga gazetarë dhe përfaqësues të klubeve në stadiumin, i cili në ndeshjet kampionale zakonisht arrin kapacitetin e plotë dhe krijohet atmosferë e zjarrtë. Edhe stadiumi tjetër i qytetit Olympic University, me kapacitet prej 60 mijë ulëseve, ishte i zbrazët në barazimin e Pumas me Chivas 1-1. Ndeshja e fundit që u zhvillua pa tifozë në Aztec Stadium ishte në maj 2004, kur America ishte dënuar për incidente mes tifozëve në ndeshjen paraprake.