28 prill 2009

Juventus, Ranieri është jashtë loje

Do të jetë e vështirë edhe për një njeri si Klaudio Ranieri të drejotjë siç duhet këto 5 javë të fundit që kanë mbetur.
Dhe më shumë se sa rënia e Juventusit në fushën e lojës (3 pikë në 4 ndeshje) duhen llogaritur tensionet brenda ekipit. Tekniku ka fajësuar klubin për atë “pikë që ka mbushur kupën” dhe që ka “bërë të prisheshin ekuilibrat e skuadrës”, ndërsa Koboli Xhilji është përgjigjur ftohtë: “Kanë munguar disa objektiva. Do të dëgjojmë atë që do të na thotë Ranieri”.
Por e ardhmja është me Ferrarën ose Konten. Gara midis dy shokëve që kanë luftuar bashkë mijëra beteja me fanellën bardhezi do të varet më shumë nga i dyti, që, falë kmapionatit të mrekullueshëm që po zhvillon me Barin, ka një numër të madh ofertash që po e presin në fund të sezonit. Natyrisht, një ofertë nga klubi që ai e konsideron si shtëpinë e tij do të hidhte poshtë të gjithë pretendentët e tjerë.
Por ish-mesfushori ka treguar se mund të çajë përpara edhe me forcat e tija dhe mund ta bëjë këtë, me sa duket, në Romë (tek Lacio) ose në Bergamo, ku të shtunën (me rastin e ndeshjes së fituar nga Bari kundër Albinolefes) duket se është kontaktuar nga Alesandro Ruxheri, djali i presidentit të Atalantës Ivan.
Flitet edhe për mundësinë që, me Konten tek Juventusi, do të jetë pikërisht Ferrara zëvendësuesi i tij tek Bari, duke marrë me vete disa lojtarë të rinj nga skuadra bardhezi midis Ariaudos, De Çeljes, Kastiljas ose Imobiles.
Sigurisht, përveç dëshirës së drejtuesve të klubit, do të jetë e rëndësishme edhe fjala e Marçelo Lipit, roli i të cilit në të ardhmen nuk është më në diskutim. Janë ide të qarta, ato të Kobolit, Blankut dhe Sekos. Por në mes janë edhe pesë javë kampionat, një vend i dytë për t’u fituar ose një vend i tretë për t’u mbrojtur.
Fiorentina është gjashtë pikë larg dhe ajo që ka ndodhur gjatë këtyre javëve në kreun e renditjes tregon se ky avantazh nuk është i pakalueshëm. Ndërsa, Ranieri duket se është lënë vetëm, i mbështetur vetëm nga lojtarët që deri në fund janë të vendosur të ndihmojnë trajnerin dhe Juventusin për të arritur ato që, siç ka kujtuar edhe vetë Ranieri në dhomat e zhveshjes në Rexhio Kalabria, “janë objektivat e paracaktuar. Kampionati?
Mua më kanë thënë se për këtë duhen pritur pesë vjet. Unë po respektoj tabelën e marshimit, ndoshta pa mendjemadhësi, mund të them se ndodhem pak më lart. Po bëjmë me të vërtet salto mortale”. Por pa rrjetën mbrojtëse poshtë.