29 prill 2009

Kakà beson: Por, jo gjithçka varet nga ne

Deri në pikën e fundit. “Nëse numrat nuk thonë “jo”, unë besoj”. Kakà është një djalosh racional, por asnjë nuk mund të jetojë pa ëndrra. Ajo e tij quhet titull dhe është disi larg. Por Rikardoja nuk dorëzohet: “Besoj, sepse po luajmë mirë, jemi në një moment pozitiv, po zbavitemi dhe po i zbavisin njerëzit, që vijnë në stadium. Interi është akoma larg, e kuptoj, por nëse do të isha Mourinjo nuk do të isha nervoz. Në të vërtet mendoj se ata janë shumë të qetë, Por kjo gjë mund të jetë diçka e mirë edhe për ne”.
Në shtëpinë e Milanit, titulli nuk është më një utopi dhe mesfushori brazilian fton skuadrën të besojë te përmbysja. Kakà analizon situatën e kuqezinjve në kampionat dhe mundësinë e rekuperimit të shtatë pikëve ndaj Interit në pesë javët e fundit të Serisë A: “Deri sa matematika na lejon, duhet të besojmë, - këmbëngul Kakà.
- Por jo gjithçka varet nga ne ama. Ne duhet të fitojmë ndeshjet tona që kanë mbetur deri në fund”.Duke i riparë pikët e humbura me skuadrat e ashtuquajtura “të vogla” në fazën e parë të kampionatit (Leçe, Torino etj), keqardhjet nuk mund të mungojnë. “Problemi ynë më i madh në këtë sezon kanë qenë dëmtimet e shumta, - siguron Kakà.
- Nuk flas vetëm për dëmtimet e mia, por të të gjithë skuadrës. Nëse do t’i kishim pasur të gjithë futbollistët të gatshëm, do të arrinim të merrnim rezultate të mira”.Braziliani e ka fytyrën plot “dritë”. Është entuziast jo shumë për dygolëshin e shënuar ndaj Palermos të dielën, por sepse është mirë dhe kur në fushë mund të lëvizë ashtu siç i pëlqen, ai ndihet i lirë: “Ishte një ndeshje e bukur me Palermon, - shpjegon numri 22 kuqezi.
- Arrita të luaja e të zbavitesha. Më mungon akoma diçka, por po përmirësohem dhe e ndiej që po i afrohem formës më të mirë”. Në 100% të formës dhe drejt 100-të golave me fanellën e Milanit: i duhen edhe shtatë, por nuk është ky numri që Kakà ka në mendje për të mbyllur sezonin.
Rikardo kërkon pikët që duhen për t’iu afruar Interit. “Megjithatë, - shton ai, - nëse rimendoj gjithçka që ka ndodhur, them se nëse arrijmë të dytët, do të ishte një rezultat i mirë. Tani që kaluam Juven duhet të mendojmë për Katanian”.