29 prill 2009

Konte: Jam gati për një klub të madh

“Puna ime flet vetë, si trajner kam arritur gjëra të rëndësishme, jam në gjendje të drejtoj një klub të madh, pa pasur nevojën e një kujdestari”. Antonio Konte, shumë afër ngjitjes në Serinë A me Barin e tij, ndihet gati për Juventusin.
Zërat që flasin për një kalim të tijin në drejtim të bardhezinjve që nga vera e ardhshme (me Lipin drejtor teknik nga viti 2010) janë bërë gjithnjë dhe më të fortë. Konte nuk flet shumë, por Ranierit i ka lëshuar një thumbim: “Organika e Juventusit nuk është inferiore nga ajo e Interit. Juvja nuk ka qenë skuadra favorite për të fituar kampionatin, por mua më ka ndodhur me Lipin të fitojmë edhe pse nuk kemi pasur ekipin më të fortë”, ka thënë ai.
Më pas ish-mesfushori i bardhezinjve ka përdorur fjalë më të buta kundrejt trajnerit aktual të Juves. “Drejtuesit dhe Ranieri kanë arritur të ringrihen pas një situate tragjike, me një skuadër që riniste gjithçka nga Seria B. Jam i bindur se nuk duhet shumë për t’u rikthyer tek fitoret e mëdha. Në momente kyçe gjatë këtij sezoni disa lojtarë të rëndësishëm për skuadrën janë dëmtuar dhe kjo e ka bërë gjithçka më të vështirë”.
Në fund një sulm ndaj të gjithë atyre që mendojnë se për të drejtuar një ekip të madh duhet eksperiencë dhe vjetërsi pune: “Ata që mendojnë se unë nuk jam gati për një skuadër të madhe, sepse jam i ri nuk kuptojnë asgjë nga futbolli. Unë tani mendoj për Barin, por nëse vjen një telefonatë…”, ka përfunduar Konte.