30 prill 2009

Kualjarela: Kërkoj të luaj në një skuadër të madhe

Skuadra e Udinezes nuk ka asnjë objektiv për fundimin e këtij sezoni, dhe e gjithë vëmendja është përqendruar tek sezoni i ardhshëm. Drejtuesit friulanë janë duke studiuar të gjitha mundësitë për merkaton e verës, jo vetëm në planin e blerjeve, por edhe atë të shitjeve. Dy emrat më të përfolur për t’u larguar janë ata të Simone Pepes dhe Fabio Kualjarelës. Sulmuesit kërkohen nga shumë klube të mëdha në Itali e më tej, dhe Udineze nuk do të hezitonte për të përfituar diçka në aspektin financiar. Ish-futbollisti i Sampdorias, Kualjarela, kërkon që sezonin e ardhshëm të jetë në radhët e një skuadre të madhe, dhe ofertat për të nuk kanë munguar. Vetë futbollisti ndjehet i lumtur tek Udinezes, por, njëkohësisht është i tunduar nga klubet e mëdha. “Tek Udineze kam kaluar dy vite të mrekullueshme, por ka ardhur koha të kaloj tek një skuadër e madhe, dhe nuk dua t’i humbas këto shanse që po më jepen. Jam i gatshëm për të provuar fatin në një vend tjetër, dhe këtë gjë e kam bërë edhe gjatë kohës kur u largova nga Sampdoria”, deklaron sulmuesi Kualjarela.