28 prill 2009

Milani: Lojtarët besojnë, Ançeloti ndalon

Interi ka akoma shtatë pikë epërsi, por fjala titull nuk është më një tabu në shtëpinë e Milanit. Të paktën për sa u takon disa senatorëve kuqezinj. “Duhet të besojmë deri në fund”, - i këshillon shokët Klarens Sedorfi. Dhe Xhianlika Zambrota e mbështet: “Shpresojmë në një hap të gabuar të Interit.” Por frenon çdo entuziazëm Karlo Ançeloti: “Mundësia për përmbysje, është zero”.
Nëse pastaj fjalët korrespondojnë me mendimet e vërteta, ky është një tjetër diskutim. Fakti është se mjaftoi një hap i gabuar i zikaltërve për të rindezur një kampionat, “të vdekur” dhe “paralizues” prej kohësh. Tani sprinti final do të jetë mes dy skuadrave (sepse e treta, Juvja, ka probleme të tjera…), që po përjetojnë një moment ndryshe. Interi ka humbur ritmin e të papërmbajtshmit, që e kishte ruajtur deri një muaj më parë, ndërsa Milani, pasi ka rigjetur Kakanë më të mirë, ringre kokën pas shumë “stuhive”. Dhe tani ëndërron… me të drejtë.
Për të shndërruar në realitet ambicjet pak a shumë të fshehura, duhet të mendojnë ata që zbresin në fushë dhe duket që kuqezinjtë janë gati ta bëjnë detyrën e tyre deri në fund. “Ka disa ndeshje që po luajmë një futboll të bukur. Arrijmë të shënojmë shpesh. Ndër të tjera pësojmë pak gola, - analizon Zambrota. - Pas dy javësh do të
luajmë ndaj Juves. Shpresojmë të arrijmë te kjo sfidë me një largësi të vogël pikësh ndaj bardhezinjve, sepse Juvja është një skuadër e madhe dhe mund të na vërë në vështirësi, por ne duhet të vazhdojmë të shpresojmë në një hap të gabuar të Interit.”
Nuk thotë se duhet besuar, por në fund të fundit ky Milan, mund ta meritojë titullin. Pipo Inzagi shpjegon: “Kemi një ecuri të shkëlqyer, nëse nuk do të humbnim ndonjë pikë dhe barazonim në derbi, sot do të ishim vetëm 4 pikë. Tani nuk duhet të shohim prapa, por të mendojmë për të ardhmen dhe të vazhdojmë të fitojmë pikërisht tani që jemi në një moment të mirë”.
Si një “komandant” i mirë, Karlo Ançeloti nuk kërkon të dëgjojë për përmbysje: Më mirë të shihet prapa sesa përpara: “Interi është shumë larg nesh, - komentoi trajneri kuqezi.
- Tani jemi të dytët, por me gjithë respektin për Juventusin, nuk po bëjmë garë me ata, por duam të shtojmë epërsinë ndaj Fiorentinës së vendit të katërt. Nëse dalim në vend të 4-t, do të kemi probleme me fazën paraeleminatore të Championsit dhe kjo do të ishte për ne një dramë atomike”.