30 prill 2009

Morati: Nuk na shqetësojnë ata që kemi prapa

Ditë të mbushura me shpresë, edhe me pak frikë, por edhe me gjueti ndaj numrave dhe statistikave pak a shumë inkurajuese për këtë apo për atë palë. Gjithçka për titullin kampion. Shpreson Milani i Ançelotit që luan rolin e atij që është dorëzuar përfundimisht nga objektivi maksimal dhe i fton të gjithë të mendojnë vetëm për vendin e dytë. Ka më pak siguri tek populli zikaltër pas frenimit të ashpër të muajit prill. Më pas vijnë kujtimet e atyre që kanë fituar dhe humbur kampionate, duke rekuperuar apo çuar dëm një avantazh të madh. Të gjitha këto gjëra që vënë nën presion, deri në një farë pike, skuadrën e Mourinjos.
Pikërisht kur e ka parë veten me “shpatulla pas muri” Interi ka bërë paraqitjet më të mira të këtij sezoni. Faktikisht, me përjashtim të derbit në fazën e parë, nuk ka gabuar asnjë përballje direkte me të ashtuqajturat skuadra të mëdha të futbollit italian. Ka qenë delikate, veçanërisht, ndeshja e parë në transfertë me Romën. Milani kishte mundur Sampdorian, duke arritur zikaltrit në renditje, ndër të tjera para dy javësh kishte ardhur dhe humbja e parë kundër kushërinjve kuqezi, dhe “sulmi” i kritikës kundër Mourinjos ishte bërë gati, por, Ibrahimoviç dy herë, Stankoviç dhe Obina i kanë dhuruar Interit një fitore 4-0 që i ka frikësuar të gjithë rivalët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në prag të ndeshjes Inter-Juventus të 22 nëntorit të kaluar: zikaltrit në krye me 27 pikë, një më shumë se Milani (që më pas ka barazuar 2-2 me Torinon), tre më shumë se bardhezinjtë.
Atmosferë e zjarrtë, presion i fortë i tifozëve ndaj Mourinjos dhe skuadra që bën një ndeshje perfekte, që prej kohësh nuk shihej në një përballje me Juven. Rezultati final 1-0 (gol i Munarit) nuk pasqyron siç duhet një ndeshje të dominuar totalisht, me Hulio Sezarin që është shqetësuar nga vetëm një gjuajtje në portë e Del Pieros. Më pas vjen derbi i fazës së dytë që të gjithë milanistët e kujtojnë si “Dora e Adrianos”, por që Interi në një moment të takimit ka rrezikuar ta fitojë me një rezultat të thellë. Në fund, ndoshta ndeshja vendimtare që ka neutralizuar sulmin e Juventusit, fitorja në “Marasi” kundër Xhenoas që deri në këtë moment nuk kishte pësuar asnjë humbje në shtëpi. Juvja ishte shtatë pikë larg dhe katër ditë më pas do të zhvillohej Mançester Junajted-Inter. Interi mposhtet, por…
Egziston edhe një e dhënë tjetër që ngushëllon zikaltrit, dhe ka të bëjë me reagimin e mirë pas dy humbjeve në kampionat. Pas Milan-Inter 1-0, kanë ardhur fitorja e brendshme me Bolonjën (2-1) dhe ajo në fushën e Romës, ashtu siç ka ndodhur pas humbjes befasuese kundër Atalantës (3-1) kur Interi mposhti Sampdorian (1-0 në Milano) dhe Katanian (2-0 në Siçili). Mourinjo nuk ka bindur shumë përsa i përket lojës, por nuk mund t’i thuhet asgjë në nivelin profesional dhe në menaxhimin e situatave delikate. Masimo Morati, nuk ka mundur të vizitojë skuadrën ditën e djeshme. Gjithsesi, është dukur i qeshur, ndoshta ngaqë është qetësuar telefonikisht nga Mourinjo. Sigurisht do të jetë pranë ekipit ditën e premte, në prag të ndeshjes Inter-Lacio. “Nuk më shqetësojnë ata që ndodhen mbrapa nesh. Duhet të mendojmë vetëm për të luajtur mirë”.