30 prill 2009

Oriali: Milani, gati për rekordin e penalltive

Polemikat kanë filluar tashmë. Pas thumbimeve midis Berluskonit dhe Moratit, i ka ardhur radha Gabriele Orialit, këshilltari i merkatos për Interin, të japë mendimin e tij: “Nëse Galiani ka folur me presidentin Berluskoni, unë kam folur me presidentin Morati… Nëse do të konsideronim totalin e penalltive të dhëna në favor të Milanit këtë vit do të arrinim një rekord”.
Dhe në fakt numrat thonë pikërisht këtë: Milani mban rekordin historik të penalltive në favor, ka marrë 18 në sezonin 1950-51. Deri më sot kuqezinjtë kanë marrë 12. Por, për të qenë korrekt dhe të paanshëm, edhe Interi ka rekordin e tij të vogël (në kampionatet me 16 skuadra): ka marrë 12 penallti në sezonin 1981-82, duke realizuar 8 prej tyre. Ndër të tjera, zikaltrit mbajnë edhe rekordin për më shumë ndeshje pa marrë një penallti kundër: 82 takime midis sezoneve 1963-64 dhe 1966-67.
Aktualisht nuk kanë marrë një 11-metërsh kundër prej 45 ndeshjesh. Me pak fjalë, 450 minutat e fundit të kampionatit kanë filluar. Më pas, Oriali rikthehet të flasë për luftën për titull: “Besoj se 7 pikët diferencë në klasifikim i japin të drejtë asaj që kemi parë në fushë. Jemi të vetdijshëm se Milani është një skuadër e madhe dhe tani po luan shumë mirë, por ne jemi të qetë. E dinim edhe para ndeshjes së humbur në Napoli se duhej të ishim pak më të përqendruar”.
Por, kujdes lufta për titull nuk është ekskluzivitet milanez: “Konsideroj edhe Juven në garë për kampionatin, matematikisht nuk është jashtë lojës”. Oriali ka nënvizuar reagimet e mëdha të Interit pas një humbjeje: “Ka pasur gjithmonë një reagim pozitiv nga ekipi.
Të shtunën kundër Lacios do të kemi një formacion të reduktuar, por ata që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin. Baloteli? Eshtë për të ardhur keq për skualfikimin, duhet ruajtur pak më shumë”. Në fund dy fjalë për merkaton dhe Ibrën: “Nuk ka asnjë çështje. Shpresojmë të fitojë kampionatin dhe klasifikimin e golashënuesve. Eshtë i qetë, duhet vetëm të rekuperojë energjitë për ndeshjet e fundit”, ka thënë drejtuesi zikaltër.