28 prill 2009

Palermo, e kënaqur me debutimin e Ujkanit

Pas shumë muajve pritje, më në fund Saimir Ujkani debutoi në Serinë A italiane. Ndeshja e parë e portierit shqiptar që militon te Palermo ka qenë pikërisht kundër Milanit. Rreth 30 minuta në fushën e "San Siros", ku u aktivizua si zëvendësues i të dëmtuarit Amelia, ndërkohë që rezultati ishte 3-0 për vendasit. Edhe pse luante ndeshjen e parë zyrtare me klubin sicilian, Ujkani u paraqit në lartësinë e duhur, duke dhënë siguri mes shtyllave. Pas elozheve nga mediat e përtej Adriatikut, "gardiani" ka marrë edhe vlerësimin maksimal të krerëve të klubit. Drejtori sportiv i Palermos, Valter Sabatini, deklaroi: "Ujkani debutoi në kampionatin italian dhe mendoj se e meritonte një kënaqësi të tillë. Më pëlqeu sesi u soll në fushë, ishte në lartësinë e duhur. Edhe pse u aktivizua për shkak të një problemi fizik të Amelias, mendoj se me seriozitetin dhe profesionalizmin që ka treguar në stërvitje, ai e meritonte të luante. Trajneri ynë veproi drejt, duke e aktivizuar. Më në fund Saimiri është njohur me klimën e ndeshjeve, duke u paraqitur mirë dhe si një portier elitar".