29 prill 2009

Reali, rrogë 15 mln euro për Ibrën

Reali i Madridit hidhet në sulm për Zlatan Ibrahimoviç. Pas deklaratave të sulmuesit suedez, i cili kërkon të luajë në një kampionat tjetër, nga "Santiago Bernabeu" ka ardhur edhe oferta konkrete. Personat pranë Florentino Perez, presidentit të ardhshëm të klubit, i kanë paraqitur menaxherit të 27-vjeçarit një propozim të "çmendur": 15 milionë euro në sezon për të luajtur me "merengues". Një shifër e jashtëzakonshme (afro 3 milionë euro më shumë nga rroga aktuale që lojtari përfiton tek Interi) dhe premtimi se do të luajë përkrah Kristiano Ronaldos. Dy arsye të cilat mund ta shtyjnë Ibrën të largohet nga zikaltrit, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme në Evropë.

Më 14 qershor, në Madrid do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore për drejtuesin e ri të klubit. Kandidatët kryesorë janë dy ish-presidentët, Ramon Kalderon dhe Florentino Perez, me këtë të fundit që shihet si favoriti absolut. Sapo të marrë votat e anëtarëve, Perez do të fillojë rindërtimin e skuadrës "Galaktike", me blerje të mëdha, që bëjnë shumë bujë mes tifozëve. Një strategji e përdorur me sukses nga viti 2000 deri në 2005-ën, kur te Reali u afruan Figo, Zidan, Ronaldo, Bekham, Ouen dhe Robinjo. Për të fituar mbështetjen e tifozëve, ai është përqendruar te tre emra kryesorë: Kaka, Kristiano Ronaldo e Ibrahimoviç. Braziliani i Milanit është objektivi numër 1, por që mbetet shumë i vështirë për t‘u arritur. Krejt e ndryshme është situata e portugezit të Mançester Junajtid, që gjatë verës së kaluar ishte fare pranë transferimit në "Bernabeu". Pas disa muajsh, Kristiano Ronaldo mund të veshë fanellën e Realit. Gjithsesi, Perez nuk dëshiron të kthehet në krye të skuadrës vetëm me një blerje. Ai ka në dispozicion një buxhet më të lartë se 300 milionë euro dhe nëse dështon në pistën Kaka, do ta shpërngulë vëmendjen tek Ibrahimoviç.


Interi

Klubi zikaltër ka treguar se nuk do ta refuzonte një ofertë të përafërt me 100 milionë euro. Duke shitur vetëm një lojtar për një shifër kaq të madhe, ata kanë mundësinë të përforcojnë kontingjentin në dispozicion të Hoze Murinjos me të paktën katër lojtarë cilësorë. Nëse Ibrahimoviç largohet, kryesuesit e Serisë A kanë gjetur zëvendësuesin ideal, Karim Benzema. Për 21-vjeçarin e Kombëtares franceze, në "Apiano Xhentile" janë të gatshëm të paguajnë 20 milionë euro, plus Hulio Rikardo Kruz dhe Amantino Mansinin. Një ofertë, me të cilën mund të mposhtet konkurrenca e të gjitha klubeve të mëdha në kontinent, që ndjekin prej kohësh sulmuesin e Lionit. Aktualisht, vlera e kartonit të Benzema llogaritet në afro 40 milionë euro, por ai cilësohet si një investim mjaft i rëndësishëm për dhjetë vitet e ardhshme. Pjesa tjetër e parave mund të shpenzohet për afrimin e disa elementëve mjaft të pëlqyer nga stafi teknik i Interit. I pari në listë është sulmuesi i Xhenoas, Diego Milito (30 milionë euro), mesfushori i Verder Bremen, Diego (deri në 25 milionë euro), mbrojtësin e Portos, Bruno Alves (15 milionë euro). Ndërkohë që nuk përjashtohen as pistat Akuafreska, Deko e Simon Kjaer.