28 prill 2009

Sensi humb durimin: Mungon profesionaliteti

Një ditë më pas, ndoshta, është më e dhimbshme. Të shikosh Xhenoan që bie kundër Bolonjës, nëse është e mundur ka shtuar zemërimin e Romës verdhekuqe. Kjo kuptohet në fjalët e thëna në përfundim të ndeshjes me Fiorentinën nga Rosela Sensi. Fjalë të reja (dhe me ton të papërdorur më parë) edhe kundrejt Luçiano Spaletit.
“Kërkoj dhe pretendoj impenjim, profesionalitet dhe dinjitet në respektin ndaj tifozëve… Në këtë pikë klubi pretendon përgjigje profesionale, të përshtatshme me rrogat që paguhen, në aspektin futbollistik dhe disiplinor”. Sigurisht, shumë shpejt Sensi pritet të shkojë në “Trigoria” për të zhvilluar një mbledhje me trajnerin. Eshtë po aq e sigurt se të dielën ajo ka qenë shumë e zemëruar.
Nuk ka dashur të futet në çështje teknike, por pozicionimi i një mbrojtësi të krahut në qendër të mbrojtjes (Kaseti) dhe konfirmimi i trajnerit se e ka zgjedhur sepse “është më i fortë se të tjerët” nuk është pëlqyer aspak, duke parë se praktikisht janë konsideruar si dështime blerjet e Lorias (në merkaton e verës) dhe ajo e Diamutenes (në atë të dimrit).
Por nuk mbaron me kaq. Familjes Sensi i intereson edhe diçka tjetër: sjellja dhe përqendrimi. “Ftoj Spaletin të rishikojë bashkë me lojtarët kartonat e kuq të marrë (12, plus 2 përjashtime të Spaletit). Askush nuk mund të fitojë duke luajtur 1/3 e ndeshjeve të kampionatit në inferioritet numerik”.
E vërtetë. Për këtë arsye vetë trajneri të dielën në mbrëmje ka folur për këtë aspekt me Pizarron në veçanti dhe me gjithë ekipin më pas. Në lidhje me vëmendjen, presidentja është e prerë: “Nëse numërojmë golat e pësuar në fillim të pjesëve të lojës, diçka nuk shkon në përqendrimin e të gjithëve”. Ndeshja në Firence, në këtë këndvështrim, ka qenë baza e këtyre akuzave. Një lajmërim i fundit: Spaleti nuk rrezikon, por drejtuesit kërkojnë një ndryshim rrënjësor. Dhe menjëherë.