28 prill 2009

Sot, tratativa zyrtare Lala-Hanover për rinovimin

Afrimi i mbylljes së sezonit aktual vë në lëvizje klubet dhe lojtarët në lidhje me kontratat që skadojnë në fund të muajit qershor. Në një vorbull të tillë është i përfshirë edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili luan në radhët e Hanoverit në Bundesligë. Prej ditësh është folur për interesimin e përbashkët si të tij, ashtu edhe të klubit gjerman për rinovimin e kësaj kontrate me të paktën edhe një vit tjetër. Një gjë e tillë do të bëhet zyrtare pikërisht sot, kur edhe do të nisin negociatat zyrtare mes "xhuxhit" shqiptar dhe drejtuesve të klubit, me në krye shefin Matin Kind. Lajmi është bërë i njohur dje nga mediat gjermane. Për momentin gjërat duket se janë në rrugën e duhur, por gjithsesi gjithçka do të varet nga pranimi ose jo nga ana Lalës, e kushtit për një rrogë më të vogël se sa ajo aktuale. Gjithsesi, detaje më të sakta pritet të merren vesh sot.