28 prill 2009

Titulli, ka një përplasje mes Moratit e Berluskonit

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, gjatë një vizite në Napoli, rikthehet të flasë për skuadrën e tij, Milanin. Gjithçka ka ardhur menjëherë pas fitores së dielës kundër Palermos dhe humbjes së shumë kontestuar të Interit kundër skuadrës napolitane. Kjo humbje u ka dhënë mundësinë kuqezinjve të Berluskonit të afrohen më shumë me zikaltrit kryesues. Distanca mes tyre është shtatë pikë, në një kohë kur duhen edhe pesë ndeshje deri në mbylljen e sezonit të Serisë A.

Ah, ai gol...!

Padroni i Milanit e rinis, që nga çështja e trajnerit: "Me trajnerin Karlo Ançeloti kam një marrëdhënie shumë të mirë, është një mik i madh për mua: Në fund të sezonit do të ulemi përreth një tavoline dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Lufta për titullin kampion të Serisë A në këtë sezon? Ne nuk do të themi asgjë dhe do të presim...". Por Berluskon citon edhe një detaj polemizues: "Kam folur edhe me Galianin në telefon. Pa atë gol me dorë të Adrianos në derbi, në këto momente do të ishim ngjitur pas Interit. Por po ashtu është e vërtetë se, në futboll, e folura me ‘nëse...‘, nuk mund të çon asgjëkund". Ndërkohë që një batutë të fundit e ruan për mbylljen, ku i referohet presidentit të Napolit, De Laurentis: "Një lojtar i Napolit që më pëlqen? Nuk më pëlqen asnjë futbollist, ndërsa presidenti po...".

Morati përgjigjet

Milani i afrohet Interit dhe presidenti zikaltër Masimo Morati kujton penalltitë e shumta (plot 12) të marra nga rivalët kuqezinj gjatë këtij edicioni: "Mendoj se do të duhet të numëroj penalltitë e Milanit dhe pastaj të shikojmë...", ka thënë Morati përpara inaugurimit të selisë se re të Interit, të transferuar nga rruga "Durini" në "Corso Vitorio Emanuele". Në lidhje me humbjen e të dielës, Morati ka shpjeguar se, "mund të ndodhë, që në një ndeshje të bllokohet e gjithë skuadra. Publiku po e mbështeste maksimalisht Napolin dhe kjo ka vënë paksa në vështirësi tanët. Ka qenë një ndeshje ‘jo‘ për ne dhe ka të drejtë Murinjo: mund të përfundonte krejt qetësisht me një barazim 0-0, por kjo nuk mjafton për një skuadër, që synon titullin kampion". Derbi në distancë ka rifilluar: "Nuk kam frikë nga Milani, ka bërë të njëjtën ecuri si Juventusi. Mua më shqetëson vetëm Interi, pasi gjithçka varet nga ne". Morati flet edhe për "dhimbjen e barkut" të Ibrahimoviç: "Kam folur për këtë, intervista nuk më duket dhe aq e ekzagjeruar, dhe pastaj ajo është bërë disa javë më parë. E kam takuar dhe nuk më është dukur i nervozuar. Është një lojtar i vetëdijshëm".