31 maj 2009

Ancelotti konfirmon largimin, Leonardo trajner i Milanit

Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, më në fund ka konfirmuar se do të largohet nga Milani këtë verë, pasi ka arritur marrëveshje për shfuqizimin e kontratës me Rossonerët një vit më herët.
“Unë kam një marrëveshje me skuadrën dhe kemi vendosur që ta shfuqizojmë kontratën, dhe kështu koha ime te Milani përfundon një vit më herët (para vitit 2010)”. “Po e përfundoj qëndrimin tim i gëzuar sepse e arritëm objektivin tonë dhe dëshiroj ta falënderoj skuadrën dhe të gjithë lojtarët, po ashtu edhe presidentin, të gjithë stafin dhe tifozët”. “Mendoj që koha ime e qëndrimit ka përfunduar në mënyrën më të mirë dhe është mirë për të dyja palët. Këto tetë vite kanë qenë një aventurë e mirë për mua”, ka thënë Ancelotti për “Sky Sport Italia”, duke shtuar se nuk ka arritur marrëveshje me asnjë skuadër duke e përfshirë edhe Chelsean.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë për “Rai” se zëvendësuesi i Ancelottit do të jetë Leonardo. “Është e vërtetë, Leonardo do të jetë trajner i Milanit sezonin e ardhshëm. Ai do t’i prezantohet shtypit të hënën”, ka thënë Galliani për “Raidue Stadio Sprint” dhe pastaj ka lëvduar punën dhe miqësinë e gjatë me Ancelottin.