30 maj 2009

Atletico Madrid siguron pozitën e katërt

Diego Forlan ka shënuar edhe golin e tij të 32-të këtë sezon në La Liga, për të ndihmuar Atletico Madridin të shënojë fitore 3-0 në fushë të vet ndaj Almerias, duke siguruar kështu edhe pozitën e katërt që dërgon në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.
Ekipi i trajnerit Abel Resino kishte nevojë për një pikë për të siguruar pozitën e katërt ndaj Villarrealit, që po ashtu shënoi fitore 3-2 në fushë të Real Mallorca. Goli i Forlan iu shtua dy golave të shënuar më herët nga Sergio Aguero (19') dhe Raul Garcia (27'). Uruguajasi, me golin e sotëm shpallet sulmuesi më i mirë në Evropë dhe siguron për të dytën herë Kupucën e Artë Evropiane. Villarreali dhe Valencia do të mbajnë pozitat pesë dhe gjashtë dhe do të garojnë në Kupën UEFA në sezonin e ardhshëm. Vlen të përmendet se David Villa shënoi të dy golat e fitores së fundit të Valencias ndaj Atletic Bilbao, që ishin goli i 27-të dhe 28-të i sezonit për të. Sulmuesi spanjoll megjithatë mbetet i treti në listën e golashënuesve më të mirë në Spanjë, prapa Forlan (32) dhe Eto'o (30).