31 maj 2009

Barca dhe Interi nisin bisedimet për Ibrahimovicin

Sipas "El Mundo Deportivo", dy drejtorët sportivë të skuadrave Barcelona dhe Inter, Txiki Begiristain dhe Lale Oriali, respektivisht, kanë filluar bisedimet për transferimin e sulmuesit të Nerazzurëve, Zlatan Ibrahimovic, drejt Camp Nout.
Drejtuesit e Interit janë të vetëdijshëm që Ibracadabra do ta lë Giuseppe Meazzan, mirëpo dëshirojnë që të fitojnë sa më shumë nga largimi i tij. Mësohet se Interi kërkon afër 75-80 milionë euro për të hequr dorë nga suedezi, ndërkohë qe drejtuesit e klubit zikaltër kanë problem me trajnerin Jose Mourinho, i cili me çdo kusht kërkon qëndrimin e Ibras tek Inter. Vetë lojtari ka dëshirë të madhe të luajë për Barcelonën, ndërsa mbetet të shihet nëse Blaugranët janë në gjendje ta paguajnë shifrën e madhe që kërkojnë zikaltrit për njeriun kryesor të skuadrës. Në ndërkohë ekziston edhe një mundësi tjetër ku mund të përfshihet edhe kalimi i Samuel Eto'o në drejtim të kundërt dhe një shumë prej 50-55 milionë euro.