30 maj 2009

Galiani: Të evitojmë fazën paraeliminatore

Drejtuesi kuqezi karikon ekipin në prag të ndeshjes me Fiorentinën
Numri dy i Milanit, Adriano Galiani, ka kërkuar të karikojë skuadrën e tij në prag të ndeshjes së rëndësishme me Fiorentinën, e vlefshme për kualifikimin direkt në Champions Ligën e sezonit të ardhshëm: “Eshtë thelbësore, - ka pranuar Galiani, - duhet të përpiqemi me çdo kusht të futemi në Champions, duke evituar fazën e lodhshme paraeliminatore. Edhe pse dy herët e fundit që e kemi nisur Championsin nga faza paraeliminatore në fund jemi shpallur kampion, nuk është rasti ta bëjmë këtë për herë të tretë”. Drejtuesi kuqezi nuk ka dashur të flasë për merkato: “Për të diskutuar lidhur me merkaton e ardhshme duhet të presim disa ditë. Kini durim, janë dy muaj që themi të njëjtat gjëra, - ka deklaruar Galiani. - Çesli kërkon Pirlon? Do të thotë se lojtarët tanë janë të aftë dhe se nuk kemi gabuar në të gjitha zgjedhjet që kemi bërë”. Në lidhje me protestat e tifozëve ultras kundër Maldinit Galiani është përgjigjur shkurt: “Unë nuk flas për ata zotërinj”. Në fund, një koment për Pep Guardiolën që ja ka dedikuar fitoren e Championsit Maldinit, duke e ftuar kapitenin kuqezi të bashkohet me të në Barcelonë: “Guardiola është një njeri i edukuar dhe shumë simpatik”. Një trajner i ri dhe fitues, por që deri një vit më parë konsiderohej më shumë se një bast i rrezikshëm. Pak a shumë siç mund të ndodhë me Leonardon: “Fati është i çuditshëm: për Guardiolën edhe në Katalonjë një vit më parë thonin se është pa eksperiencë tani është një trajner i madh…”, ka thënë Galiani.