30 maj 2009

Italia: Thirret Santon, Kasano në shtëpi

Italia: Thirret Santon, Kasano në shtëpi

Është edhe mbrojtësi 18‑vjeçar i Interit Davide Santon në listën e 21 futbollistëve të grumbulluar nga Marçelo Lipi për ndeshjen miqësore në Pizë kundër Irlandës së Veriut e programuar të shtunën më 6 qershor. Kthehet me fanellën “axurre” Gatuzo nga një dëmtim i gjatë, ndërsa sa i takon Kasanos, asnjë thirrje. Trajneri i Italisë ka komunikuar edhe emrat e 13 nga 23 lojtarët që do të marrin pjesë në Kupën e Konfederatave më 14 qershor. Lista do të plotësohet me emrat e tjerë të enjtën me 4 qershor. Kundër Irlandës së Veriut dhe Zelandës së Re (të mërkurën 10 qershor në Pretoria), kombëtarja do të luajë dy miqësore të fundit para Kupës së Konfederatave, nga 14 qershori më 28 qershor në Afrikën e Jugut. 21 janë lojtarët do të grumbullohen brenda mesnatës së 2 qershorit në Koverçiano. Për sa i takon Kupës së Konfederatave, grumbullimi është parashikuar gjithnjë në Koverçiano, brenda mesnatës së 6 qershorit.


Lista për miqësoren e Pizës

Portierë: De Sanktis (Gallatasaraj), Marketi (Kalljari);

Mbrojtës: Kasani (Palermo), Dosena (Liverpol), Gamberini (Fiorentina), Groso (Lion), Espozito (Leçe), Legrotalje (Juventus), Santon (Inter);

Mesfushorë: Biaxhianti (Katania), Brigi (Roma), D’Agostino (Udineze), Galopa (Siena), Gatuzo (Milan), Montolivo (Fiorentina), Palombo (Sampdoria);

Sulmues: Foxhia (Lacio), Maskara (Katania), Pacini (Sampdoria), Pelizier (Kievo), Rosi (Vilareal).


Lista e 13 lojtarëve për Kupën e Konfederatave

Portierë: Bufon (Juventus), Amelia (Palermo);

Mbrojtës: Kanavaro (Juventus), Kielini (Juventus), Zambrota (Milan);

Mesfushorë: Kamoranezi (Juventus), De Rosi (Roma), Pepe (Udineze), Pirlo (Milan);

Sulmues: Xhilardino (Fiorentina), Iakuinta (Juventus), Kualjarela (Udineze), Toni (Bajern Mynih).