30 maj 2009

Kaka: Dua të rifitoj Championsin me Milanin

Braziliani ka përgjenjeshtruar sërish zërat që flasin për një marrëveshje të arritur me Realin
Në Spanjë janë të gjithë të sigurt: Kaka do të jetë blerja e parë e Realit të Madridit të Florentino Perez. “Unë kam thënë gjithmonë se tek Milani ndihem mirë”, ka thënë shkurt braziliani. Pra, sirenat spanjolle nuk e tundojnë, madje duket se qëllimet e tij janë totalisht të tjera dhe këtë e ka konfirmuar me fjalët e tij:
“Dua të rikthehem të fitoj dhe të ripërjetoj tensionin e Champions Ligës, pasi ato emocione janë shumë të forta”. Braziliani ka komentuar edhe sezonin e Milanit, që të dielën e ardhshme do të luajë për kualifikimin direkt në Champions kundër Fiorentinës në Firence.
“Eshtë një javë shumë e veçantë, delikate, po kalojmë një moment të vështirë, por duhet të reagojmë.” Dhe më pas ka shtuar: “Në tri ndeshjet e fundit kemi pësuar një rënie, është e vështirë të kuptohet se çfarë ka ndodhur, por tani mungon vetëm një sfidë, dhe nuk mund të mos e arrijmë objektivin”. Edhe administratori i deleguar i Milanit ka deklaruar: “U lodha duke folur për Kakanë, është një histori që zgjat prej disa muajsh, jemi më 28 maj, kemi një ndeshje delikate për të zhvilluar, ka kohë për të diskutuar për të ardhmen”.
TE ENJTEN TEK REALI - Kaka është blerja e parë e madhe e Realit të Madridit nën presidencën e Florentino Perez dhe transferimi i tij do të zyrtarizohet të enjten e ardhshme. Këtë e ka shkruar gazeta spanjolle “As” në saitin e saj në internet. Sipas kësaj gazete konfirmimi i kalimit të brazilianit tek ekipi madrilen ka ardhur nga udhëtimi që Adriano Galiani dhe trajneri i ardhshëm i Milanit Leonardo kanë bërë në fillim të kësaj jave drejt Francës për të bindur Gurkufin të kthehet në Milano.
Dhe për më skeptikët “As” ka publikuar disa lajme sipas të cilave të mërkurën e kaluar Bosko Leite, babai-agjent i Kakasë ka qenë në “Milanelo”. Me pak fjalë largimi i lojtarit duket i sigurt. Dhe Milani po përpiqet të zëvendësojë numrin 22 të kuqezinjve me një goditje merkatoje: të rikthejë mesfushorin 23-vjeçar francez, i dhënë borxh tek Borodo dhe i votuar nga revista frnaceze “L’Equipe” si lojtari më i mirë i kampionatit francez.