30 maj 2009

Mehmedin e vëzhgon Arsenali

Skuadra e Arsenalit ka disa muaj që vëzhgon Admir Mehmedin. Por gjiganti nga Premierliga nuk është ekipi i vetëm që ka shprehur interesim për futbollistin shqiptar. Edhe klubet gjermane, Bayer Leverkusen e Hertha Berlin, kërkojnë 18-vjeçarin.

Strategu francez, Arsene Wenger, shumë shpejt nën urdhrat e tij mund ta ketë ndonjë futbollist shqiptar. Tashmë skuadra e Arsenalit ka shprehur interesim për transferimin e Lorik Canës në stadiumin Emirates.

Mirëpo, klubi i Arsenalit ia ka vënë syrin edhe një futbollisti tjetër shqiptar. Bëhet fjalë për talentin me prejardhje nga Gostivari, Admir Mehmedi, i cili aktivizohet te skuadra zvicerane, Zurich.

Sulmuesi i kampionit më të ri të Zvicrës, tash e disa muaj është duke u vëzhguar nga një skaut i topçinjve. 18-vjeçari në sytë e klubit londinez ka rënë gjatë paraqitjeve me përfaqësueses U-19 të Zvicrës.

“Një skaut i Arsenalit më ka vëzhguar në dy takime, gjithashtu ai do të jetë edhe në Belgjikë, ku do të më vëzhgojë serish gjatë ndeshjes me përfaqësuesen U-19 të Zvicrës. Arsenali ka shprehur interesim dhe ata duan të më vëzhgojnë vazhdimisht, derisa unë të forcohem si futbollist, e pastaj të bisedojmë për transferim”, ka thënë Mehmedi për Express.

Mirëpo, skuadra nga Premierliga nuk është klubi i vetëm që ka shprehur interesim për ish-futbollistin e ekipit zviceran, Bellinzonas.

“Pas një turneu që kam pasur me ekipin U-23 të Zurichut, interesim për mua kanë shprehur ekipet gjermane, Bayern Leverkusen e Hertha Berlin, por deri më tani nuk ka diçka konkrete”, theksoi ai.

Pas interesimit të këtyre klubeve, drejtuesit e Zurichut po bëjnë përpjekje që t’i vazhdojnë kontratën Mehmedit, e cila skadon në vitin 2010. Sipas tij, Zurichu dëshiron t’i vazhdojë kontratën edhe për dy vjet.

“Unë do të shikoj se çfarë kushtesh do të m’i ofrojnë e pastaj do ta shohim se a do të vazhdojmë kontratën apo jo”, thotë ish-anëtari i ekipit zviceran, Winterthur.

Para fillimit të sezonit, Mehmedi nga ekipi U-21 i Zurichut kishte dalë në ekipin e parë, me të cilin debutoi më 16 korrik të vitit të kaluar, në ndeshjen kundër Xamax.

I lumtur me titull

Në vitin e tij të parë me Zurichun, Admir Mehmedi ka arritur të shpallet kampion i Zvicrës, një xhiro pa përfunduar kampionati. “Jam shumë i lumtur që siguruam titullin e kampionit. Është kënaqësi si 18-vjeçar dhe në debutim të fitojë titull”, theksoi Mehmedi.

Ai tregon se para filmit të sezonit askush nuk ka pritur që Zurichu të jetë kampion i Zvicrës, pasi që nuk kishte bërë asnjë përforcim gjatë verës së vitit të kaluar.

Një xhiro pa përfunduar kampionati në AXPO Superlig, Zurich zë vendin e parë me 76 pik të tubuara, katër më shumë sesa përcjellësi i parë, Basel, ku aktivizohet treshja shqiptare, Beg Ferati, Jurgen Gjasula e Orhan Mustafi.